E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmuesit e Shqipërisë, në formë

Kombëtarja shqiptare po i vazhdon përgatitjet për ndeshjen e së premtes, kundër Islandës, që do të zhvillohet në stadiumin ‘Qemal Stafa’, në kuadër të kualifikimit për Kampionatin botëror ‘Brazili 2014’

Të përzgjedhurit e Gianni De Biasit kanë dhënë sinjale mjaft pozitive në prag të ndeshjes ndaj Islandës. Kuqezinjtë kanë realizuar plot 9 gola në ndeshjen miqësore të zhvilluara kundër ekipit shqiptar, Olimpiku.

Golat në këtë takim janë shënuar nga Armando Sadiku (3), Erion Bogdani (2), Hamdi Salihi, Edgar Çani, Gilman Lika dhe Odise Roshi (1). “Duke i ndjekur me vëmendje në veprim, trajneri De Biasi është dukur i kënaqur nga forma sportive e futbollistëve të ftuar, ndërsa dukej qartë se italiani ishte në kërkim të formacionin titullar, të cilin do ta hedhë në fushë ndaj islandezëve”, shkruajnë mediet shqiptare.

Ajo që ka bërë më shumë përshtypje gjatë kësaj ndeshjeje kontrolluese, ka qenë vendosja e skuadrës në fushën e blertë, ku kapiteni Lorik Cana ishte vendosur në mesfushë, derisa i rikthyeri Debatik Curri luajti përkrah Mërgim Mavrajt në qendër të mbrojtjes kuqezi.

Objektiv i Shqipërisë të premten do të jetë vetëm fitorja pasi të martën do të ketë përballje të vështirë kundër Sllovenisë në Tiranë. Kuqezinjtë, pas dy ndeshjeve të zhvilluara në Grupin E, zënë vendin e tretë me 3 pikë të tubuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›