E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’flet për reciprocitet

Kryeministri Hashim Thaçi i konsideron si një hap drejt njohjes reciproke marrëveshjet me Serbinë. Por ai nuk preferon të përgjigjet nëse Kosova do t’i përdorë masat e reciprocitetit, kur të fillojë zbatimi i tyre. Serbia ka paralajmëruar se nuk do t’i lejojë tabelat RKS në territorin e saj. Përgjigja e Kryeministrit për këtë është se “qytetarët do të lëvizin me dokumente të shtetësisë së Kosovës nëpër Serbi”. Nga Shpend Limoni më 07 korrik 2011 në ora 08:10

Kryeministri Hashim Thaçi nuk preferon të flasë në detaje për marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit, javën e kaluar në Bruksel.
Ai heziton të diskutojë sidomos rreth asaj që kryenegociatorja Edita Tahiri kishte qenë mjaft e zëshme–për reciprocitetin në zbatimin e këtyre marrëveshjeve.

Serbia ka paralajmëruar se nuk do të lejojë përdorimin e tabelave RKS në territorin e saj, pavarësisht se në konkluzionet e ndërmjetësit të bisedimeve Robert Cooper nuk thuhet se këto targa duhet të mbulohen ose të zëvendësohen me ato të përkohshme, gjatë kalimit nëpër Serbi.

Kryeministri Thaçi nuk komenton për këtë në mënyrë direkte edhe kur i përsëritet pyetja.

Ai nuk ka aktualisht një qëndrim nëse Republika e Kosovës do t’i detyrojë edhe qytetarët e Serbisë të bëjnë të mbulojnë targat e shtetit serb kur, hyjnë në territorin kosovar.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin me dokumente të shtetësisë së Kosovës nëpër Serbi”, ka thënë ai gjatë një takimi me gazetarë në Qeverinë e Kosovës.

Thaçi u është përgjigjur edhe kritikave të opozitës dhe Kryeparlamentarit Krasniqi për mungesë transparence në procesin e bisedimeve, duke thënë se dokumenti që Cooper ia ka dorëzuar palës kosovare, tashmë ndodhet edhe në Presidencë edhe në Kuvendin e Kosovës.

Thaçi i është shmangur edhe fjalës marrëveshje, duke i quajtur ato konkluzione.

I pyetur nëse një gjë e tillë është bërë për shkak të shmangies së ratifikimit të tyre në Parlament, ashtu siç parashihet me Kushtetutë, Thaçi ka thënë se bëhet fjalë vetëm për konkluzione.

“Marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në Kuvendin e Kosovës, por këto janë konkluzione edhe sa u përket konkluzioneve nga takimet e përbashkëta ndërshtetërore. Kuvendi i Kosovës i ka dhënë mbështetje të plotë Qeverisë për të diskutuar dhe për të nxjerrë konkluzione që janë në interes të Kosovës, por edhe në interesin e dy vendeve për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës, por edhe për qytetarët serbë”, ka thënë ai.

Marrëveshjet për lirinë e lëvizjes, regjistrat civilë dhe njohjen e diplomave universitare ende nuk janë bërë publike nga institucionet e Kosovës.
Thaçi ka thënë se pala kosovare nuk po fsheh asgjë në këto bisedime, duke theksuar se procesi i nisur në Bruksel do të çojë në njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Nuk ka asgjë për t’u fshehur, sepse janë konkluzione shumë të përgjegjshme që janë në interesin e fillimit të njohjeve reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Unë e kam theksuar edhe më herët dhe e theksoj edhe sot se ky proces do të përmbyllet me njohjen ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe do të përshpejtohet procesi i integrimit në Bashkimin Evropian edhe për shtetin e Kosovës, edhe për Serbinë. Është standard evropian, është agjendë evropiane, është edhe virtyt dhe kulturë dhe përcaktim edhe yni, të ndërtojmë fqinjësi të mirë me të gjithë”, ka thënë ai.

Kreu i Qeverisë i ka quajtur “konkluzionet” zgjidhje evropiane, të cilat do ta përshpejtojnë procesin integrues të Kosovës dhe të Serbisë në Bashkimin Europian.

Thaçi ka folur edhe për takimin e radhës mes palës kosovare dhe asaj serbe, që pritet të mbahet brenda muajit në Bruksel.

Ai ka thënë se telekomunikacioni, energjia, vulat doganore janë pika ku Prishtina dhe Beogradi mund të pajtohen.

“Kjo është në interes të fuqizimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës, por edhe të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore”, ka thënë ai.

Kryeministri ka komentuar edhe për njohjen e diplomave si një nga marrëveshjet me Serbinë duke thënë se kjo është mirëpritur sidomos nga shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Para gazetarëve, Thaçi ka theksuar se ka besim që edhe ligjet që kërkohen nga Raporti i Progresit do të miratohen deri në muajin shtator, derisa me optimizëm ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave.

Njëra nga temat që ka zënë vend në bashkëbisedimin me gazetarë, është edhe deklarata e deputetit të Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, se mund t’ia thyejë dhëmbët Kryeministrit Thaçi, kur të dojë.

Kreu i Qeverisë e ka komentuar këtë deklaratë duke thënë se nuk dëshiron të lëshohet në një “nivel të tillë të komunikimit”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›