E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’guxojnë të gabojnë

Flamurtari nuk guxon të ‘kiksojë’ të dielën në ndeshjen derbi ndaj Hysit, sepse çdo rezultat tjetër, përveç fitores, do t’ia vështirësojë edhe më shumë punët kësaj skuadre për të mbijetuar në Superligë. Ndërsa pikët e plota do t’i kërkojnë edhe bardhezinjtë, sepse vetëm me fitore mund të shpresojnë ende në titullin e kampionit. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 20 mars 2011 në ora 11:21

Ndeshja derbi e xhiros së njëzetë e Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të dielën në kryeqytet, ku Flamurtari do të ballafaqohet me Hysin.

Ky duel pritet të jetë jashtëzakonisht interesant për faktin se të dyja ekipet do të luajnë vetëm për fitore.

Flamurtarit i nevojiten jashtëzakonisht shumë tri pikë nga ky takim, sepse secilën herë ky ekip po e merr tatëpjetën në tabelën e klasifikimit. Andaj, skuadra kuq e zi konsiderohet si shumë e rrezikuar për t’u larguar nga elita e futbollit kosovar.

Prishtinasit e kanë nisur mjaft dobët stinorin pranveror, ndonëse qenë përforcuar më së shumti gjatë dimrit. Flamurtari i ka pësuar dy disfata - nga KEK-u dhe Drenica - në dy ndeshjet e para të këtij edicioni.

Prandaj, kryetrajneri i ekipit nga ‘Xhemajl Ibishi’, Jusuf Tortoshi, thotë se ka ardhur koha që djelmoshat e tij ta ndërpresin këtë seri negative të rezultateve. Tortoshi thotë se skuadra e tij të dielën objektiv të vetëm e ka fitoren, pavarësisht faktit se përballë do ta ketë Hysin, i cili po lufton për titull të kampionit.

“Jemi në një pozicion shumë të pafavorshëm. Përveç një ndeshjeje që e kemi fituar për Kupën e Kosovë, ende nuk kemi shënuar fitore në këtë edicion në kuadër të garave kampionale. Por, fitoren do ta kërkojmë ndaj Hysit, ndaj të cilit nuk do ta kemi të lehtë, pasi edhe Hysi synon fitore për t’i arritur objektivat e veta. Duhet të jemi të kujdesshëm”, thotë Tortoshi.

Në anën tjetër, edhe bardhezinjtë nga Merdarja thonë se në Prishtinë do të udhëtojnë për t’i fituar tri pikë të reja në luftën e tyre për titullin e kampionit. Hysi vetëm me fitore do të mund të shpresonte akoma në titullin e kampionit, më afër të cilit trofe aktualisht është Prishtina.

“Është ndeshje e vështirë për ne, sepse Flamurtari di të jetë i rrezikshëm dhe i nevojitet shumë fitorja sepse është shumë i rrezikuar. Këtë ngarkesë të tyre me motivin që e kemi do të mundohemi ta shfrytëzojmë dhe t’i fitojmë tri pikë të plota. Matematikisht kemi mundësi ta fitojmë titullin dhe nuk do të dorëzohemi”, ka thënë futbollisti i Hysit, Enis Zabërxha.

Aktualisht Hysi gjendet në vendin e dytë të tabelës me 36 pikë të tubuara, nëntë më pak sesa lideri Prishtina. Kurse Flamurtari gjendet në vendin e dhjetë të tabelës me 20 pikë, dhe llogaritet si njëra prej skuadrave më të rrezikuara për t’u larguar nga Superliga.
Shumë i rrezikuar është edhe Ballkani, i cili të dielën e pret liderin, Prishtinën. Kurse Trepça do të mundohet ta shtyjë Vëllaznimin në krizë edhe më të madhe, sepse mitrovicasit në shtëpi do ta kërkojnë fitoren ndaj gjakovarëve.

Superliga – Xhiroja e 20-të

E diel
Trepça – Vëllaznimi (12:00)
Ballkani – Prishtina
Trepça ’89 – Drenica
Ferizaj – Liria
Flamurtari – Hysi
Përveç takimit Trepça – Vëllaznimi, ndeshjet tjera zhvillohen prej orës 14:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›