E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blini bileta online!

Nga Express më 20 mars 2011 në ora 11:19

Tifozët kosovarë tash e tutje biletat për t’i përcjellë ndeshjet e Kombëtares shqiptare në futboll do të mund t’i blejnë online përmes faqes zyrtare, blinibileta.com.

Inaugurimi i kësaj ueb faqeje është bërë të shtunën në Prishtinë nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Eduard Prodani. Sipas tij, FSHF-ja në këtë mënyrë është munduar t’i ndihmojë tifozët kosovarë, të cilët vazhdimisht i përkrahin fuqishëm Kombëtaren kuq e zi.

“FSHF-ja sot po inauguron pikën e shitjeve të biletave për ndeshjet e ekipit kombëtar. Të premten është hapur pika e parë e shitjes në Tiranë dhe sot këtë po e bëjmë në Prishtinë. Këtë e bëjmë për respektin ndaj tifozëve kosovarë, të cilët me pasion e ndjekin kombëtaren, por edhe një promocion i mirë për ekipin kombëtar për të krijuar sa më shumë mundësi për t’i ndjekur ndeshjet e ekipit kombëtar”, ka thënë Prodani.

Nga mënyra e shitjes së biletave pritet të përfitojë edhe futbolli kosovar. “Për këtë kemi gjetur bashkëpunimin me kompaninë e mirënjohur “Eurokoha”, e cila do të bëjë shpërndarjen dhe promocionet tjera. Gjithashtu kemi rënë dakord edhe për diçka tjetër, që pjesën e fitimeve që sigurohen nga ky shërbim, kjo kompani do ta ndajë për zhvillimin e futbollit kosovar”, ka shtuar Prodani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›