E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha letër Thaçit: 12 Qershori, me germa të arta në historinë e kombit

Me rastin e 13-vjetorit të përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës, kryeministri Sali Berisha i dërgoi një letër kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, ku i shpreh qeverisë së Kosovës dhe popullit të saj përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta për këtë datë historike, që mbylli kapitullin e sundimit barbar serb dhe kurorëzoi me sukses sakrificat mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës në luftën e tyre legjendare për liri, dinjitet dhe pavarësi.

Në letrën dërguar Thaçit, kryeministri Berisha shkruan se “13 vjet më parë trupat e Aleancës së Atlantikut të Veriut, trupat e paqes, hynë si çlirimtare në Kosovën e martirizuar dhe i dhanë fund përgjithmonë sundimit e shtypjes shekullore serbe”, raporton agjencia e lajmeve NOA.

Berisha thekson se “Dita e Paqes, 12 Qershori, do të mbetet në memorien historike të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë si datë historike që mbylli kapitullin e sundimit barbar serb dhe kurorëzoi me sukses sakrificat mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës në luftën e tyre legjendare për liri dinjitet dhe pavaresi. Kjo ditë e shënuar me gërma të arta në historinë e kombit shqiptar hapi për qytetarët e Kosovës kapitullin e paqes, lirisë dhe, mbi të gjitha, të pavarësisë, duke shndërruar Kosovën në një shtet të pavarur e sovran të njohur nga 91 shtete të botës, ku të gjithë qytetarët e saj ndihen të lirë e të barabartë, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike”.

Sipas Berishës, në këto 13 vjet Kosova ka ndërtuar jetën e saj në paqe dhe harmoni me fqinjët, duke u shndërruar në një faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan, ndërkohë që punon intensivisht për t’u integruar në strukturat evropiane dhe euro-atlantike dhe për të lëvizur lirshëm në Evropë.

“Së shpejti i jepet fund procesit përmbyllës të pavarësisë së mbikëqyrur dhe Republika e Kosovës, shtet demokratik, sovran e i pavarur, do të ecë edhe më shpejt drejt anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe të zërë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara. Këto janë arritje madhore që mbushin me krenari cilindo qytetar të Kosovës multietnike, sovrane dhe të pavarur, për të cilat padyshim, Ju zoti Kryeministër, keni dhënë një kontribut të çmuar personal”, thekson Berisha.

Kryeministri i Shqipërisë e garanton kryeministrin Thaçi se qeveria shqiptare është plotësisht e vendosur që marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe që ekzistojnë mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, të njohin zhvillime pozitive, duke u pasuruar e zhvilluar më tej në të gjitha fushat.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›