S’iu pëlqeu e vërteta

Gazeta shkroi se si anëtarët e familjes Jiabao, përfshirë këtu djalin e kryeministrit, vajzën, vëllaun më të ri dhe dhëndrin, janë pasuar së tepërmi që prej vitit 1998.
Pasuria e tyre supozohet të jetë diku rreth 2.7 miliardë dollarë.
Në artikullin e ‘NYT’ theksohet fakti se:
"Një shikim i të dhënave të korporatave sugjeron se të afërmit e kryeministrit, disa prej të cilëve shquhen për aftësi agresive në tregti, përfshirë këtu gruan e Jiabao’s, kontrollojnë asete me vlerë 2.7 miliardë dollarëve”.
Megjithatë, sipas gazetës, këto para është e pamundur të ndërlidhen me kryeministrin Wen Jiabao, dhe se emrat e anëtarëve të familjes së tij fshihen prapa avokatëve dhe fondeve për investime.
Pekini zyrtar, i cili është shumë “i ndjeshëm” në shkrimet që kanë të bëjnë me pasurinë e liderëve të tij, ka bllokuar edhe versionin kinez të rrjetit social Twitter.
Wen Jiabao u emërua për zëvendëskryeministër të Kinës në vitin 1998, ndërkohë që në postin e kryeministrit erdhi në vitin 2003.
Në artikullin për Jiabao, gazeta ‘NYT’ pohon se të gjitha partneritet e kontrolluara nga farefisi, miqtë dhe kolegët e Jiabao’s deri në vitin 2007 përfshinin edhe 2.2 miliardë dollarë aksione të kompanisë kineze të sigurimeve Ping An Insurance (Group) Co of China Ltd. Aktualisht nuk ka të dhëna për vlerën momentale të këtyre aksioneve, sepse vitin e kaluar këto të dhëna janë fshirë nga dokumentet publike. Gazeta tregon se si edhe nëna 90-vjeçare e Jiabao’s pesë vite më parë bëri një investim në Ping An në vlerë prej 120 milionë dollarëve.
Gazeta ‘NYT’ pohon se të gjeturat e saj ia kishte prezantuar edhe qeverisë kineze për koment, por Ministria e Jashtme e Kinës refuzoi të përgjigjej. Edhe anëtarët e familjes së Jiabao refuzuan që t’i komentonin pohimet e gazetës, ose nuk u përgjigjën fare ndaj kësaj kërkese. As Këshilli Shtetëror, respektivisht Kabineti qeveritar i Kinës, i cili udhëhiqet nga Wen Jiabao, nuk u përgjigj kërkesës së agjencisë Reuters për të komentuar pohimet e ‘NYT’.