E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka Pulitzer për fiksion

Bordi i çmimit Pulitzer nuk ka arritur të përzgjedhë një fitues për çmimin për fiksion, për herë të parë pas 35 vjetësh.

Duke e ngushtuar listën deri në tri romane, administratori i çmimit Pulitzer, Sig Gissler, tha se asnjëra prej veprave nuk ka marrë shumicën e votave nga paneli.

“Kështu që pas konsideratave të pafundme, nuk u dha asnjë çmim”, tha ai.

Librat në garë kanë qenë ‘The Pale King’ nga David Foster Wallace, ‘Swamplandia’ nga Karen Russell dhe romani i autorit Denis Johnson ‘Train Dreams’.

Gissler shtoi: “Kanë qenë shumë faktorë të përfshirë në këto vendime dhe ne nuk diskutojmë në detaje se pse një çmim është dhënë apo nuk është dhënë”.

Paul Bogaards, drejtor i marketingut në ‘Alfred A Knopf’, botues i romanit ‘Swamplandia’, ka shprehur zhgënjimin e tij.

“Është shpërblimi më i rëndësishëm për letërsinë amerikane dhe është turp për jurinë që këtë vit nuk arriti ta gjejë një vepër në fiksion”, tha ai.

“Çmimi Pulitzer sjell shitje. Është një çmim që mund të ndryshojë trajektoren e karrierës së një shkrimtari”, shtoi ai.

Shpërblimi prestigjioz amerikan për fiksion zakonisht përcjellët me një rritje të madhe të shitjes – në mesin e fituesve të mëhershëm përfshihen edhe klasikët si ‘To Kill A Mockingbird’ i shkrimtares Harper Lee dhe ‘Rabbit at Rest’ i John Updike.

Fituesi i këtij çmimi do të merrte dhjetë mijë dollarë.

Jane Smiley, e cila e ka fituar çmimin Pulitzer për fiksion në vitin 1992 për librin ‘A Thousand Acres’, nuk ishte e habitur.

“Nuk mund ta besoj se nuk kishte ndonjë me vlerë. Është turp. Por nganjëherë komiteti përzgjedhës vërtet nuk mund të pajtohet dhe rezultati është mosdhënia e çmimit. Shumë keq”, ka shkruar ajo në një email për Associated Press.

Por Michael Pietsch nga ‘Little, Brown and Company’, botues i romanit ‘The Pale King’, tha: “Është mrekulli që komiteti i nominimeve i Pulitzer-it ia rekomandoi romanin ‘Pale King’ jurisë”.

“Gjithçka që i sjell lexuesit te romanet brilante të Davidit, në veçanti romani i tij i mirënjohur ‘Infinite Jest’, është gjë e mirë”.

Susan Larson, kryetare e jurisë për çmimin Pulitzer në fiksion, tha se nuk i takonte jurisë për të përzgjedhur fituesin, por vetëm ta ngushtonte listën deri në tre finalistë.

“Vendimi për të mos e dhënë çmimin këtë vit qëndron vetëm te bordi i Pulitzer-it”, ka shkruar ajo në një email për AP.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›