E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka frikë nga asgjë

Mesfushori i Bolton Wanderers, Fabrice Muamba ka pranuar se sulmi kardiak i ka lënë pasoja të rënda. Ai ka probleme të mëdha me kujtesën por thotë se tani nuk frikësohet nga asgjë. 24 vjeçari tregon se u trondit nga vdekja e Piermario Morosinit dhe Alexander Dale Oenit derisa ka ende kohë para se të mendojë për mundësinë e rikthimit në fushë.

Fabice Muamba, futbollisti i Bolton Wanderers i cili pësoi sulm kardiak gjatë një ndeshjeje në FA Cup, ka treguar se si ngjarja e rëndë ka ndikuar në jetën e tij. 24 vjeçari e përshkroi rikuperimin e tij si një “mrekulli” që ka bërë që ai tani mos të ketë frikë nga asgjë.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se ka telashe me memorie prej kur kolapsoi në fushë gjatë duelit me Tottenhamin në White Hart Lanë në Mars. Ish reprezentuesi i ekipit U-21 të Anglisë, ishte deklaruar i vdekur nga stafi mjekësor pasi zemra e tij pushoi së rrahuri për 78 minuta.

“Kam vdekur. Tani jam i gjallë. Nuk ekziston asgjë që më frikëson. Fuqia e lutjeve dhe njohuria e mjekëve më shpëtoi. Isha me fat. Më besoni, çdo ditë e kaloi si të jetë e bekuar”, deklaroi Muamba për The Times.

Për Muamban, rikthimi në fushë është ende larg dhe ai ka pranuar se i nevojiten muaj para se të jetë në gjendje të diskutojë rreth angazhimit të sërishëm në fushën që ai e do shumë. Në ndërkohë, ai ka thënë se është falënderuar që ka mundësi të kalojë kohë me të fejuarën e tij Shauna, dhe djalin tre vjeç, Joshua.

“Ende kam një rrugë të gjatë edhe me kujtesën dhe kjo më shqetëson. Sigurisht, truri im nuk është siç ka qenë për shkak se i mungojnë disa gjëra. Kujtesa ime është e shpërndarë. Bisedoj me Shaunan, e pyes për dikë. Pesë minuta më vonë e bëjë pyetjen e njëjtë”” shtoi ai.

Muamba shprehu pikëllimin e tij për vdekjen e dy sportistëve pas incidentit të tij. Futbollisti i Livornos, Piermario Morosini, i cili kolapsoi në fushë dhe notuesit norvegjez, Alexander Dale Oen.

“Tri herë në sport në muajt e fundit? E pabesueshme. Duhet të ekzistojë një rrugë për ta ndalur këtë. Morosini në Itali, kjo më tronditi shumë. E kam shikuar në YoutTube. Më ka shpërthyer koka. I kam thënë vetes, ‘Kështu isha unë para pak kohe’,” theksoi ai.

E fejuara e Muambas, Shauna ka treguar se ishte duke e përcjell ndeshjen në televizion, së bashku me djalin e tyre kur Muamba kolapsoi në fushë. Ajo tha se doktori i klubit të Boltonit, Jonathan Tobin ka insistuar te mjekët e tjerë që të vazhdojnë trajtimin e Muambas, edhe në momentet kur dukej se ai nuk kishte shpëtim.

“Ishte marrëdhënia e ngushtë mes doktorit Tobian dhe Fabirces që i mbajti ata. Doktor Tobin më ka treguar këtë. Ata dy herë kanë menduar të ndalen. Por, doktor Tobin u ka thënë, ‘Jo, të provojmë sërish’. Dhe ata vazhduan të provojnë derisa ia shpëtuan jetën. 78 minuta është kohë e gjatë për të tentuar të ringjallni dikë”, deklaroi ajo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›