Matia:Lushnja le te marre gjithe policet e Shqiperise ne Vlelipoje!
Reagon njëri nga presidentët e Adës, Lazer Matia, pas deklaratës së sekretarit të klubit lushnjar në lidhje me ndeshjen e nesërme
Deklarata e sekretarit të klubit lushnjar, Judmir Shurdhit, në numrin e djeshëm të Sportit shqiptar ka shkaktuar reaksion në kampin velipojak. Ai ka thënë se Lushnja kërkon mbikqyrje speciale të ndeshjes në Velipojë me Adën dhe kjo deklaratë është konsideruar e ekzagjeruar. Njëri nga dy presidentët e Adës, Lazer Matia, për ndeshjen e nesërme ka thënë: “Jam çuditur nga deklarata e sekretarit të klubit lushnjar.
Në Velipojë nuk ka ndodhur asnjëherë ndonjë gjë dhe nuk ka pse të bëhet kaq shumë zhurmë. I konsideroj dashakeqë të tilla deklarata. Nuk e di pse duhen kërkuar forca speciale policie për këtë ndeshje, nuk e di pse duhet trumbetuar se do të bëhet nami në këtë takim. E keqja e vetme e Adës ka qenë dhe është se luan futboll të bukur dhe se merr pikë edhe ndaj pretendentëve.
Këtë gjë do të tentojmë edhe me Lushnjën. Ju kujtoj lushnjarëve se këtë kampionat kemi barazuar në fushën tonë me Kukësin dhe Besën, si dhe kemi mundur Besëlidhjen. Kemi humbur vetëm me Luftëtarin. Drejtuesit e Lushnjës, të cilët janë kaq të shqetësuar për situatën në Velipojë, le t’i pyesin kolegët e tyre, nëse kanë patur shqetësimin më të vogël në fushën tonë.
Vetëm nëse ata e pohojnë këtë gjë, kanë të drejtë të pretendojnë dhe jo të sajojnë gjëra të paqena. Klubi ynë e ka bërë një deklaratë javë më parë dhe asaj po i referohem: Do të luajmë ndershmërisht ndaj çdo kundërshtari, pra edhe me Lushnjën. Se çfarë thonë shurdhët”, nuk na intereson. Megjithatë, nëse duan të sjellin qindra forca speciale policie, lë ti sjellin. Nëse duan të sjellin shumë kamera, le ti sjellin. Me këto veprime ata po ia rrisin vlerën Adës dhe Velipojës.
Vetëm fitore Në fakt, velipojakët nuk kanë dashur ta përgatisin këtë ndeshje në këtë mënyrë. Ata e kanë arritur objektivin dhe duan ta respektojnë kampionatin deri në fund, duke luajtur fair-play. Por, fakti që lushnjarët vetë kërkojnë ti trazojnë ujërat, nuk u ka pëlqyer aspak.
Drejtuesit dhe lojtarët e Adës janë betuar se do të bëjnë më të mirën për ta fituar ndeshjen me Lushnjën dhe atë të javës së fundit me Butrintin. Do të luajmë fort, sikur të ishte ndeshja e parë e kampionatit. Me Lushnjën dhe Butrintin do të kërkojmë me çdo kusht fitoren. Lushnjarët skanë pse ta ekzagjerojnë kërkesën tonë për fitore. Nuk i falim kujt ndeshje dhe lushnjarët duhet ta dinë se nuk është turp të të mundë Ada.
Kemi mundur skuadra më forta se Lushnja dhe në përballjet me të kemi më shumë fitore. Këtë epërsi do ta thellojmë të dielën, duke u thënë lushnjarëve se nuk duhet të abuzojnë me emrin e Adës, – ka përfunduar njëri nga presidentët e Adës, Lazer Matia. Kështu, në rrethana aspak të nevojshme, duket se atmosfera para ndeshjes është nxehur më tepër se duhet.
