E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça kërkon pikët e shpresës

Drenica do ta presë të shtunën Trepçën, ndaj të cilës do të kërkojë fitore për ta bërë një hap të madh drejt sigurimit të mbijetesës në Superligë. Por, kuqezinjtë nuk do ta kenë lehtë, pasi edhe ‘Xehetarët’ do ta japin atomin e fundit për të fituar pikët e shpresës.

Xhiroja e njëzeteshtatë e Superligës së Kosovës në futboll nis të shtunën me një ndeshje shumë interesante, që do të zhvillohet në Skenderaj ndërmjet dy skuadrave të rrezikuara për të rënë nga elita, Drenicës dhe Trepçës.

Kuqezinjtë aktualisht pozicionohen në vendin e shtatë të tabelës me 33 pikë. Andaj, ata synojnë fitore përballë mitrovicasve për ta bërë thuajse hapin më të madh drejt sigurimit të ekzistencës.

“Do të jetë një ndeshje e fortë, pasi të dyja ekipeve na nevojiten shumë pikët. Trepça kur luan si mysafire është shumë e papërshtatshme, por me angazhimin e gjithë futbollistëve dhe me përkrahjen e tifozëve tanë, unë besoj se të tria pikët do t’i ndalim në Drenicë”, tha kapiteni i kuqezinjve, Sami Geci.

Mirëpo, edhe më shumë sesa Drenicës pikët i nevojiten Trepçës, pasi aktualisht gjendet në vendin dhjetë të renditjes tabelore me vetëm 27 pikë, tri më shumë sesa dy skuadrat e fundit, KEK-u e Gjilani.

“Ne çdo skuadër e presim fenomenal në Mitrovicë dhe presim të na bëhet një pritje e njëjtë në Skenderaj. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë interesante dhe jam optimist se do ta nxjerrim një rezultat pozitiv, dhe ta tejkalojmë krizën e kohëve të fundit”, ka deklaruar qendërmbrojtësi i Trepçës, Arben Zhjeqi. Ky takim nis në orën 15:15.

Superliga – Xhiroja e 27-të

E shtunë

Drenica – Trepça 15:15

Liria – Lepenc 16:00

E diel

Trepça ’89 – Besa 15:15

Prishtina - KEK-u 16:00

Vëllaznimi – Gjilani 16:00

Drita – Hysi 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›