E Shtunë, 31 Tetor 2026

Novi: Luftëtari do të luftojë për prestigj në Kukës

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Numri 2 i stolit gjirokastrit, Neritan Novi, thekson se titulli kampion i takon ekipit të tij, që nuk ka asnjë presion për transfertën e nesërme

Luftëtari ka siguruar ngjitjen në superligë, që në thelb përbën një sukses të konsiderueshëm për vetë faktin se në 10 sezonet e fundit  vetëm 1 herë ka luajtur në të, konkretisht sezonin 2006-2007. Pra, shumë pak. Për javën e parafundit të këtij kampionati do të luajë në Kukës me ekipin vendës, që aty është i pamposhtur, si edhe Luftëtari në Gjirokastër.

Eshtë një përballje kjo, që në një farë mase mund të përcaktojë se cili prej tyre do të shpallet kampion i kategorisë së parë, ndërkohë që enigmën do ta zgjidhë takimi LushnjaKukësi, natyrisht në kombinim edhe me atë LuftëtariMamurrasi.

Për prestigj në radhë të parë Luftëtari duhet të manifestojë qëndrueshmërinë e tij, falë përvojës dhe njohjes në futboll, duke i kombinuar këto me diferencat cilësore që pretendon se ka, pa asnjë mbivlerësim apo nënvlerësim të kundërshtarit, duke pasur besim se e pamundura bëhet e mundur.

Kukësi, edhe pse ka dy ndeshje ndër më të vështirat, madje më të vështirat, në fushën e tij me Luftëtarin dhe në transfertë me Lushnjën, e ka shpallur veten kampion në mënyrë të padiskutueshme, por një gjë e tillë nuk ka bazë reale dhe më tepër përdoret nga ai për presion psikologjik.

Duke marrë parasysh kalendarin dhe duke pranuar se në ndeshjet KukësiLuftëtari dhe LushnjaKukësi do të luhet futboll në përputhje me rregulloren e tij, pa ndikim faktorësh të tjerë, më shumë shanse ka që kuksianët të dalin të tretët.

Novi Ndihmëstrajneri i Luftëtarit, Neritan Novi, për ndeshjen e nesërme shprehet: Jemi të ndërgjegjshëm se ndeshja në Kukës  është ndoshta më e vështira, jo vetëm se edhe kundërshtari pretendon kreun, por edhe për faktin që në fushën e tij nuk ka humbje, sikundër edhe Luftëtari në Gjirokastër.

Ne jemi përgatitur që pas ndeshjes me Adën për këtë përballje dhe kemi avantazhin që e kemi siguruar superligën, që ishte edhe objektivi kryesor i këtij  sezoni. Ajo që dëshirojmë është që ndeshja të zhvillohet në kushte  normale, me korrektësi midis ekipeve, por edhe me gjykim të paanshëm. Pas këtyre le të fitojë ai që do të luaj më mirë, që do të gabojë më pak dhe që do të ketë edhe fatin me vete.

Për ne ndeshja është më tepër për prestigj, pasi nuk është plotësisht kjo që përcakton titullin kampion të kategorisë së parë. Do të luajmë me të gjitha mundësitë tona për të treguar edhe një herë se jo rastësisht kemi kryesuar që kur nuk mbahet mend.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›