E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka kandidatë

Edhe pse data për zgjedhje në Federatën e Futbollit të Kosovës është caktuar, ende asnjë njeri nuk ka shpallur kandidaturën për ta drejtuar këtë institucion. Të interesuarit për ta marrë këtë post do të kenë mundësi të kandidojnë vetëm deri të premten. Kryetari aktual Fadil Vokrri ende është i pavendosur, ndërsa deri tash kandidatë të tjerë nuk ka, madje as nga FC Prishtina.

Të interesuarit për ta drejtuar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) kanë kohë vetëm edhe dy ditë që t’i dorëzojnë kandidaturat e tyre në zyrat e FFK’së.

Të premten (2 dhjetor) është afati i fundit për t’i deponuar në shtëpinë e futbollit kosovar kandidaturat me 15 nënshkrime të delegatëve, për njerëzit që aspirojnë të jenë pjesë e garës për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në Kuvendin Zgjedhor, që mbahet më 2 shkurt të vitit 2012.

Këtë e ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, duke u bazuar në rregullat e përcaktuara me statutin e shtëpisë së futbollit. Mirëpo, ai ka pohuar për Express se deri të mërkurën asnjë njeri nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Në këtë mënyrë ende mbetet e paqartë se sa kandidatë do të garojnë më 2 shkurt për postin e kryetarit të FFK-së, apo cilët do të jenë ata. Ndërsa kryetari aktual, Fadil Vokrri akoma nuk e ka konfirmuar nëse do të kandidohet apo jo edhe për një mandat tjetër katërvjeçar.

“Krejt çka mund të them është se kam marr shumë kërkesa për t’u kandiduar edhe për një mandat, por unë ende nuk kam vendosur. Vendimin tim do ta bëj të ditur me kohë”, ka thënë shkurt Vokrri për Express.

Megjithatë, burime të besueshme të Express-it brenda FFK-së kanë bërë të ditur se Vokrri do të jetë kandidat edhe për një mandat tjetër. Sipas burimeve, shumë delegatë kanë kërkuar nga Vokrri që të kandidohet.

Në anën tjetër, udhëheqësit e FC Prishtinës ditë më parë patën paralajmëruar se do të dalin me një kandidat shumë serioz për postin e të parit të futbollit kosovar. Megjithatë, ata të mërkurën ende nuk kanë caktuar kandidatin për këtë post.

Madje ata fajësuan udhëheqësit aktualë të FFK-së, për të cilët thanë se po manipulojnë në këtë proces, duke i penguar të tjerët që të kandidohen për postin e kryetarit.

“Jo një, por Prishtina ka shumë kandidatë që kanë potencial me udhëheq FFK-në. Por, FFK-ja nuk po tregohet demokratike në këtë proces, sepse, sikurse para katër vitesh, edhe për këtë kuvend po shkojnë me sistemin e mbledhjes së nënshkrimeve për ta fituar të drejtën për t’u kandiduar. Në këtë mënyrë nga dikush po bllokohen nënshkrimet, me ç’rast dikujt tjetër nuk i lejohet hapësirë të kandidohet”, ka deklaruar nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi, i cili thotë se nuk ka asgjë personale me drejtuesit e FFK’së

“Ne nuk kemi asgjë ndaj Vokrrit apo FFK-së. Ne jemi vetëm kundër politikave të FFK-së, e cila që 12 vite nuk ka bë absolut asgjë. Ata dy gjëra i kanë bë: I kanë shitur drejtat televizive të përfaqësueses 300 mijë euro, të cilat para askush nuk e di se ku janë, dhe e dyta, brenda katër viteve e kanë organizuar një ndeshje miqësore me Renovën, edhe atë duke iu falënderuar Bylbyl Sokolit. Të tjerat i ka bë Prishtina, siç është rasti i njohjes së kartonëve të futbollistëve, në të cilin sukses thirret FFK-ja”, theksoi Muqiçi.

Sipas gjitha gjasave, Fadil Vokrri pritet të jetë i vetmi kandidat për postin e kryetarit të FFK-së.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›