Sahiti kërcënon me largim

Skuadra e Gjilanit shumë lehtë mund të mbetet pa trajnerin e saj, Muharrem Sahiti. Trajneri gjilanas ka paralajmëruar se nuk do t’i nisë fare garat e stinorit pranveror me ekipin bardh e kuq, nëse kryesia e klubit nuk i sjell përforcime gjatë këtij dimri.
Sahiti nuk është i kënaqur me rezultatet që i regjistroi ekipi i tij gjatë garave të stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll. Pjesën e parë të kampionatit, bardhekuqtë e përmbyllën duke u pozicionuar në vendin e parafundit të renditjes tabelore me vetëm 16 pikë.
Sahiti thotë se me fondin e futbollistëve që kishte në dispozicion e kishte të pamundur të fitonte më shumë pikë sesa kaq. Andaj, ai pohon se kryesia e klubit patjetër që duhet të sjellë përforcime të reja në Gjilan gjatë këtij dimri, nëse do që skuadra e tyre t’i shpëtojë rënies nga elita. Në të kundërtën, Sahiti paralajmëron se do të jep dorëheqje nga pozita e shefit të shtabit teknik.
“Me këtë kualitet të skuadrës vërtet është shumë e vështirë të vazhdohet. Kemi shumë nevojë për përforcime dhe për këtë është e vetëdijshme edhe kryesia e klubit. Nëse nuk përforcohemi, atëherë vështirë se do të vazhdoj ta kryej detyrën time. Megjithatë, gjithçka do të dihet brenda këtyre dhjetë ditëve”, ka deklaruar Sahiti për Express.
Në anën tjetër, edhe kryetari i Gjilanit, Murat Hoxha, pranon se skuadra e tij ka nevojë për përforcime, derisa ai shpreson që Muharrem Sahiti të vazhdojë ta kryejë detyrën e trajnerit.
“Është evidente se kemi nevojë për të bërë përforcime, por kjo varet shumë nga fuqia materiale që e ka klubi. Megjithatë, minimumi do të mundohemi të përforcohemi të paktën me një mbrojtës, një mesfushor e një sulmues. Por, mendoj se ka kohë që të përforcohemi”, ka thënë Hoxha. Gjilani deri më tani i ka shënuar katër fitore, derisa katër herë ka luajtur baras. Në nëntë takime tjera ka pësuar disfata.
Gjilani synon të riorganizohet
Gjilani tash e disa vite po përjeton krizë të madhe financiare. Andaj udhëheqësit e këtij klubi po planifikojnë ta gjejnë ndonjë zgjidhje, në mënyrë që të vijnë ditë më të mira për Gjilanin.
“Kemi planifikuar që në muajin janar ta mbajmë Kuvendin e Klubit për ta shqyrtuar mundësinë që Gjilani të shndërrohet në shoqëri aksionare, në mënyrë që të ndahen përgjegjësitë, pasi kështu është vështirë të vazhdohet”, ka treguar për Express kryetari i klubit, Murat Hoxha.