S’ka ndryshim të kufijve

Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin amerikan, Ileana Ros-Lehtinen ka thënë për Kosovapress se së shpejti në Kongresin amerikan do të mbahet një dëgjim publik, ku ajo do të informojë kongresistët lidhur me zhvillimet në veri, ku serbët e rebeluar kanë vënë barrikada në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së pushtetit të Prishtinës zyrtare edhe në këtë pjesë të vendit.
Kongresistja Ros-Lehtinen ka marrë pjesë në një takim me komunitetin shqiptaro- amerikan, të organizuar nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me ç’rast ka ripërsëritur mbështetjen e shtetit amerikan për shqiptarët, dhe në bisedë me të pranishmit u informua lidhur me gjendjen në veri të Kosovës.
Ajo me këtë rast ka bërë të ditur se së shpejti do të mbahet një seancë dëgjimore në Kongres së bashku me Ligën Qytetare Shqiptaro-amerikane, në të cilin ajo do të ftojë edhe kongresistë tjerë, të cilët do t’i njoftojë me situatën e atjeshme, pasi që serbët e dirigjuar nga Beogradi sulmuan pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Shpresoj se shumë shpejt ne do të kemi një dëgjim në kongres bashkë me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane ku do t’i ftoj edhe anëtarët tjerë të Kongresit dhe t’ua shpjegoj se çfarë po ndodh me të vërtetë, sepse këta njerëz nga kjo Ligë e dinë shumë mirë se çfarë po ndodh në Kosovë”, ka thënë Ros-Lehtinen.
Duke shprehur qëndrimin për situatën e krijuar gjatë kohëve të fundit në veriun e Kosovës, kongresistja amerikane shprehet me tone kritike ndaj bashkësisë ndërkombëtare, për të cilën thotë se nuk i ka kushtuar shumë vëmendje këtij problemi.
“Komuniteti ndërkombëtar nuk i ka kushtuar shumë kujdes kësaj çështje. Faleminderit Zotit që ne kemi njerëz siç janë Sherli Klojs dhe Xhozef DioGuardi dhe të gjithë këta njerëz përreth meje të cilët thërrasin vëmendjen tonë duke thënë se ne duam të gjithë të zgjohen nga gjumi dhe të thonë se ne duhet të luftojmë për të drejtat e njeriut, po ashtu të thonë se atje po ndodhin krime. Këto janë parimet e Amerikës dhe pyes veten se si Amerika nuk është e bashkuar në këtë qëndrim sepse këtu ka shumë gjëra që neve na lidhin së bashku”, ka thënë Ros-Lehtinen.
Ajo edhe një herë ka shprehur qëndrimin e shtetit amerikan për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës.
“Vetëm dua ta bëj të qartë se në Kosove nuk do të ketë ndryshim të kufijve dhe me sa duket Departamenti ynë i Shtetit nuk e ka ngritur shumë zërin në këtë çështje”, ka thënë kongresistja amerikane.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar për shkak të bllokadave të serbëve të rebeluar, të cilët kundërshtojnë vendosjen e policëve dhe doganierëve të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31.