Policia konfiskon prova materiale gjatë bastisjes në Dubravë
(E plotësuar) Gjatë një operacioni policor të realizuar të shtunën në mëngjes në Burgun e Dubravës, me urdhëresë të Gjykatës së Qarkut në Pejë, Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar në cilësi të provave materiale 7 telefona celular, një maskë, një kaçavidë, një skallper, shkrepëse të modifikuara me pjesë metali të mprehtë, mjete të ndryshme të metalta të mprehta, një tel bakri me gjatësi prej një metri, si dhe janë marrë dokumentacione të ndryshme për t’u bërë verifikimi i tyre.
Përfundoi bastisja në Qendrën Korrektuese në Dubravë
Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur përmes një komunikate për media se ka përfunduar bastisja në Qendrën Korrektuese në Dubravë, e cila është bërë me kërkesën, dijeninë dhe pëlqimin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe e cila ka pasur si qëllim rritjen e disiplinës dhe rendit në këtë qendër.
Të gjeturat e Policisë së Kosovës në këtë bastisje do të trajtohen dhe për çdo përgjegjës do të merren masa disiplinore, thuhet në komunikatë.
Me këtë rast, Ministria e Drejtësisë falënderon Policinë e Kosovës për punën shumë korrekte dhe profesionale, po ashtu edhe Prokurorinë dhe Gjykatën e Qarkut në Pejë për mbështetje e dhënë.
Bastisja ka filluar dhe ka përfunduar pa asnjë problem.
Kontrollohet Qendra Korrektuese në Dubravë
Me vendim të Gjykatës së Qarkut në Pejë dhe me pëlqim të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, të shtunën në Qendrën Korrektuese në Dubravë është duke u kryer një bastisje.
Qëllimi i kësaj bastisje është parandalimi i dukurive negative në këtë qendër, thuhet në një komunikatë për media të Ministrisë së Drejtësisë.