Serbët betonojnë barrikadën në urën e Ibrit

Banda kriminale të serbëve kanë hedhur disa kamionë me zhavorr në barrikadën e ngritur në cepin verior të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, të cilën më pas edhe e kanë betonuar, ndërkohë që bëhet e ditur se gjatë natës së kaluar ka pasur kontrabandim të naftës nga Serbia për në Kosovë përmes rrugëve alternative.
Betonimi i barrikadës është bërë në orët e vona të natës së kaluar. Serbët kanë sjellë katër kamionë me gurë dhe zhavorr, dhe pas tyre kanë sjellë edhe katër mikserë, për të cilët thuhet se i takojnë kapos së krimit në veri Zvonko Veselinoviq. Ata me këtë rast kanë dëmtuar edhe një kamerë të sigurisë të vendosur nga ana e KFOR-it në urën mbi lumin Ibër.
Aksioni i bandave kriminale serbe është vëzhguar nga KFOR-i, karabinierët italianë dhe Policia e Kosovës.
Serbët e rebeluar kanë kujdestaruar gjatë gjithë natës pranë barrikadave, ndërkohë që pikat kufitare 1 dhe 31 kanë qëndruar të mbyllura për qarkullimin e automjeteve, pasi që serbët kanë ngritur një tjetër barrikadë te Jarinja, kësaj radhe nga ana e Serbisë.
Kjo është hera e parë që pas vendosjes së policëve dhe doganierëve të Kosovës në Jarinje dhe Bërnjak më 16 shtator, janë ngritur barrikada edhe jashtë Kosovës./Kosovapress/