FOL tërhiqet nga memorandumi me MSH-në

Drejtues të Lëvizjes Fol kanë prezantuar për media raportin me të gjetura faktike të keqpërdorimeve në Zyrën e prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe kanë bërë të ditur se kanë shkëputur memorandumin e mirëkuptimit, për shkak të mos zbatimit të tij nga ana e kësaj ministrie.
Në një konferencë për media të dielën, menaxheri i programeve në Lëvizjen Fol, Fidan Kalaja, ka thënë se që nga momenti kur është nënshkruar ky memorandum zyra e prokurimit nuk ka zbatuar këtë marrëveshje që ka paraparë qasjen e Lëvizjes Fol në të gjitha fazat dhe procedurat e prokurimit në këtë MSH.
"Arsyet kryesore janë se ky memorandum që nga nënshkrimi nuk është zbatuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht nga ana e zyrës së prokurimit të kësaj ministrie. Gjatë këtyre tre muajve zyra e prokurimit nuk ka zbatuar asnjë pikë të këtij memorandumi, i cili ka paraparë qasjen e Lëvizjes Fol në të gjitha fazat dhe procedurat e prokurimit në këtë ministri, përpos në dy raste kur kjo zyrë na ka njoftuar dhe na ka ftuar të marrim pjesë në hapjen e dy tenderëve dhe më pastaj në asnjë procedurë të prokurimit neve nuk na është lejuar qasja” , theksoi ai.
Për më tepër, Kalaja ka bërë të ditur se Fol ka bërë kërkesë zyrtare për qasje në dosjet e të gjithë tenderëve që i ka dhënë Ministria e Shëndetësisë gjatë këtij viti, por asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.
“Zaptimi dhe pronësia nga ana e sekretarit të përgjithshëm z. Ilir Tolaj dhe shefit të prokurimit z. Zenel Kuqi të Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë përcaktuese që ky memorandum të mos zbatohet duke e mbyllur dhe izoluar më tej Ministrinë e Shëndetësisë, përkatësisht Zyrën e prokurimit të kësaj ministrie duke thelluar mos transparencën në këtë ministri dhe duke vazhduar dhe legjitimuar keqpërdorimet kronike të parasë publike që kanë ndodhur në këtë ministri, madje duke rrezikuar edhe shëndetin e qytetarëve përmes blerjeve të produkteve jocilësorë dhe pa afat” ,ka thënë Kalaja.
Ndërsa koordinatori i projektit të prokurimit në Lëvizjen Fol, Armend Pajaziti, ka bërë të ditur se menaxhimi i depos së barnave bëhet nga kompania “Rimed” dhe sipas tyre kjo kompani merr pjesë edhe në tenderë të tjera dhe me këtë gjë paraqet konflikt të pastër interesi.
Pajaziti ka theksuar se komentet e konkurrentëve të tjerë për menaxhimin e barnave kanë qenë se barnat nuk menaxhohen mirë nga kjo kompani.
Ai po ashtu tha se dyshohet se kjo kompani së bashku me zyrtarë të MSH-së dhe institucioneve të tjera bëjnë falsifikimin në menaxhimin e barnave dhe shpesh herë ndërrohen me barna që kanë afat të skaduar.
“Njoftimet thonë se barnat nuk menaxhohen mirë nga kjo kompani. Dyshohet se së bashku me zyrtarë të MSH-së dhe institucioneve të tjera bëjnë falsifikimin qoftë në hyrjen e barnave, apo në menaxhimin e barnave dhe ato barna shpesh herë ndërrohen me barna me afat të skadencës së kaluar dhe që pastaj rriten stoqet e kësaj depo me barna pa afat. Sipas zyrtarëve, inspektorati farmaceutik barnat dhe materialet shpenzues të cilat sigurohen nga MSH-së për nevojat e pacientëve të institucioneve publike të shëndetësisë jo rrallë kohëve të fundit janë gjetur nëpër barnatore dhe institucioneve private tjera të shëndetësisë”, ka thënë Pajaziti.
Memorandumi me Ministrinë e Shëndetësisë është nënshkruar me 10 qershor 2011, mirëpo zyra e prokurimit nuk ka qenë bashkëpunuese duke refuzuar pjesëmarrjen e Fol në takimet e vlerësimit të ofertave dhe këta të fundit janë tërhequr nga kjo marrëveshje. /kosovapress/