E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi nuk lëviz

Studentët e nivelit Master ndihen të diskriminuar nga ata të Bachelorit në UP. Sipas tyre, vendimi për uljen e çmimit të semestrit është dashur të vlejë për të dyja palët. Mentor Hasani kryetar i Parlamentit Studentor fajëson studentët për mungesë presioni, derisa studentët mendojnë të kundërtën. Zyrtarë të Rektoratit thonë se pavarësisht kërkesës, çmimi i semestrit për Master nuk ulet. Nga Lirita halili më 02 tetor 2011 në ora 08:53

Me protestë ia arritën qëllimit. Studentët e nivelit Bachelor të Universitetit të Prishtinës (UP) e realizuan kërkesën e tyre për zvogëlimin e çmimit të semestrit. Por këtë nuk e arritën edhe ata që studiojnë në nivelin Master në UP.

Në kohën kur Ministria e Arsimit, me kërkesë të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës e rriti çmimin e semestrit për të gjithë studentët e UP-së, Bachelorët protestuan duke kërkuar ulje. Dhe kjo ndodhi. Nga 75 euro sa pati pësuar ngritja, semestri për këtë kategori të studentëve u kthye në 50 euro, aq sa ishte gjithmonë.

Por kjo ulje e çmimit nuk vlejti edhe për studentët e Masterit. Për ata nuk vlen vendimi për zbritjen e semestrit. Studentët e këtij niveli vazhdojnë të paguajnë nga 300 uro për një semestër, derisa para ngritjes, pagesa ishte vetëm 200 euro.

Jo pse ata nuk organizuan protestë për ta arritur qëllimin e kërkesës së tyre, uljen e çmimit të semestrit. Por sa herë që është bërë një organizim i tillë, të pranishëm në protestë ishin hiç më shumë se tre apo katër studentë.

Mentor Hasani, kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, thotë se kjo është arsyeja e vetme, pse studentët e nivelit Master vazhdojnë të paguajnë semestrin me çmim të ngritjes.

“Patëm organizuar një protestë për të kërkuar uljen e çmimit për semestër. Por në protestë kanë qenë të pranishëm vetëm 3 studentë”, sqaron Hasani, derisa thotë se mosinteresimi i këtyre studentëve ka bërë që kërkesa për ulje të çmimit të mos merret parasysh nga Rektorati i UP-së.

Pasi nuk arriti të bëjë asgjë në këtë drejtim, Hasani vendosi që të paktën pagesën prej 5 eurosh që studentët e Masterit detyrohen ta paguajnë, sa herë që paraqesin provimet, ta heqë komplet. “Unë e kam bërë një kërkesë për heqjen e pagesës për çdo provim të paraqitur. Kaq mund të bëj vetë, pa përkrahjen e studentëve”, sqaron Mentor Hasani. “Tash po pres se çfarë do të bëhet me këtë kërkesë. Të paktën kjo nuk do të jetë më një barrë e studentëve”, pohon ai.

E përveç kërkesës së kryetarit të Parlamentit Studentor, janë edhe disa studentë të nivelit Master, që kanë ndërmarrë një hap rreth uljes së çmimit të semestrit. Pavarësisht mungesës së iniciativës për të marrë pjesë në protesta, ata kanë zgjedhur që me anë të peticionit ta rregullojnë këtë problem.

A.S. student i nivelit Master në UP, thotë se ai mban mend kohë më parë, ta ketë nënshkruar një peticion. “Disa prej nesh kemi nënshkruar një peticion me të cilin kemi kërkuar uljen e çmimit të semestrit. Por deri tash nuk u arrit asgjë”, sqaron A.S. për Express.

Madje ky student, i cili preferon të mbetet anonim për gazetën, thotë se ka disa dyshime të tij, rreth mosuljes së çmimit. “Po dyshoj që këtu edhe organizatat studentore s’e kanë kryer punën si duhet. Nuk kanë bërë kurrfarë presioni”, thotë ai.

Por mënyrat e ndryshme për ta arritur qëllimin që këta studentë kanë, duket se nuk çojnë shumë peshë në zyrat e Rektoratit të UP-së. Kjo pasi Isuf Ibërdemaj, zëdhënës i Rektoratit thotë se prej se është marrë vendim për rritjen e çmimit të semestrit për nivelin Master, askush nuk ka komentuar asgjë për uljen e tij. “Deri më sot, askush nuk ka diskutuar për këtë çështje”, thotë Ibërdemaj për Express.

E, përveç kësaj, ai thotë se nuk beson që ndonjëherë do të ketë ulje të çmimit të semestrit. “Në Master ka më pak studentë se në Bachelor. Kriteret janë më të larta dhe ka më shumë shpenzime. Prandaj, edhe çmimi nuk është liruar dhe nuk besoj që do të lirohet”, pohon ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›