E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka ngritje të cilësisë

Njohësit e futbollit kosovar mendojnë se as në këtë sezon nuk pati ngritje të cilësisë në futbollin kosovar. Sipas tyre, futbolli në vend ka mbetur në të njëjtin nivel me vitet e fundit. Ata mendojnë se Prishtina me meritë e mbylli pjesën vjeshtore si lider, derisa e pranojnë se kanë pritur më shumë nga skuadrat si Llamkos Kosova, Drenica e Vëllaznimi.

Sezoni i ri i Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll nuk kishte dallim nga ata të viteve të kaluara. Pjesa vjeshtore u mbyll të dielën, ndërsa njohësit e futbollit kosovar nuk panë ndonjë ngritje të cilësisë karshi edicioneve të kaluara.

Ata mendojnë se futbolli në vend ka ngecur në një nivel në vitet e fundit dhe assesi të ecën përpara. “Sipas meje, nuk ka ngritje të cilësisë, futbolli kosovar nuk është në progres, ka mbetur aty ku ishte në vitet e fundit”, deklaroi trajneri i njohur kosovar, Ajet Shosholli.

Njëjtë mendon edhe trajneri gjilanas Muharrem Sahiti, i cili e ka ndjekur me kujdes kampionatin kosovar. “I kam përcjellë shumë ndeshje, por në bazë të asaj që e kemi parë, futbolli kosovar gjendet në një nivel. Ka disa lojtarë që e kanë shfaqur talentin e tyre, por nuk është e mjaftueshme. Duhet të bëhet shumë punë”, theksoi Sahiti.

Sa i përket këtij kampionati, trajnerët njëzëri mendojnë se në përgjithësi nuk pati ndonjë befasi, duke përjashtuar Llamkos Kosovën dhe Drenicën, që përfunduan më poshtë se që pritej pas përforcimeve që bënë gjatë verës.

“Mendoj që pjesa e sipërme është shumë reale, Prishtina me plot meritë kryeson. Bile, sipas mendimit tim, me cilësinë që ka, ky ekip është dashur ta ketë diferencën më të madhe, por ka luajtur rol ndërrimi i trajnerëve. Edhe dy Trepçat me meritë gjenden në pozitat 2 e 3, pasi kanë cilësi të konsiderueshme. Edhe mesi i tabelës është real, ndërsa Vëllaznimi, Drita dhe Llamkos Kosova mund të ishin më lart në tabelë”, vazhdoi Shosholli i cili Besën e konsideron si befasi të këndshme.

Në anën tjetër, Sahiti thotë se Trepça ’89 ka befasuar për të mirë, pasi që nuk kishte ekip për të luftuar për kreun e tabelës. “Në bazë të investimeve që janë bërë në afatin kalimtar, është pritur që Prishtina të jetë lidere. Trepça ’89 ka befasuar për të mirë, por kam pritur më tepër nga ekipet që kanë hyrë në ligë”, vijoi trajneri gjilanas.

Prishtina e mbylli si lidere sezonin vjeshtor, e ndjekur nga dy skuadrat mitrovicase, Trepça ’89 e Trepça. Kurse, ekipet më të rrezikuara duken Liria, Llamkos Kosova, Drenica e Vëllaznimi, që e mbyllin tabelën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›