E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari tregon forcën, Teuta merr vendin e dytë

Flamurtari ka thyer tabunë “Kukësi”, duke fituar 2-0 dhe duke i shkaktuar skuadrës verilindore humbjen e parë sezonale. Në Vlorë, ekipi i drejtuar nga Hulian Rubio Sançez ka marrë 3 pikë të arta, që e kthen atë në betejën për zonat e larta të klasifikimit. Kuksianët vinin në këtë sfidë me kollonën zero të humbjeve, por më në fund janë dorëzuar edhe ata. Një fitore e madhe për ekipin vlonjat, që më në fund duket se ka gjetur vazhdimësinë pas një starti tejet negativ të sezonit. Flamurtari ka qenë i frikshëm në fushën e lojës, ndërsa një ndihmë e madhe i erdhi nga goli i mrekullueshëm i Bratiç në minutën e 11-të. Më pas, gjërat u bënë më të lehta, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë, kartoni i kuq i marrë nga Brahja, vendosi praktikisht sfidën. Flamurtari fitoi një penallti, të cilën Memelli e shndërroi në gol dhe gjithçka në fushë përfundoi. Edhe pse vlonjatët ishin superiorë, ndeshja nuk ka qenë aq e lehtë, duke parë mbrojtjen e ngjeshur të skuadrës mike. Fitorja e ka çuar ekipin e Rubios 6 pikë larg kreut, në pritje që Skënderbeu të luajë sot ndaj Kastriotit. Mes korçarëve e vlonjatëve ka edhe një përballje direkte, që ndoshta mund të rihapë kampionatin. 

Teuta
Teuta e Durrësit ka marrë vendin e dytë në kampionat, 1 pikë larg Skënderbeut, pas fitores së pastër në shifrat 3-0 ndaj Bylisit. Në “Niko Dovana”, skuadra durrsake ka luajtur me një stil ndryshe nga zakonisht, duke qenë tepër agresive në sulm. Një strategji që në fund rezultoi fituese, ndërsa goli i shpejtë i Nikës vendosi shumë në ecurinë e kësaj ndeshjeje. Shkodrani realizoi që në minutën e shtatë, duke thyer portierin Haxho. Bylisi ishte i rrezikshëm në pjesën e parë, duke qenë disa herë pranë barazimit, por në të dytën vendasit morën frenat e lojës në dorë. Takimi dhuroi emocione të shumta, por në minutat e fundit, Teuta mbylli gjithçka, duke realizuar dy herë me anë të Nikës e Daniel Xhafës. Tashmë durrsakët mund të konsiderohen pre duke qenë se ecuria e tyre në javët e fundit ka qenë në ngjitje.
Tomori
Sekondat e fundit kanë qenë fatale për Tomorin e Beratit, në ndeshjen e djeshme ndaj Luftëtarit, e përfunduar 1-1. Skuadra vendase ishte duke kryesuar 1-0 falë golit të afrikanit Kehinde në minutën e 75-të, por Boci në minutat shtesë barazoi gjithçka. Në fakt, vendasit e kanë merituar fitoren, por kanë gabuar shumë përpara portës, duke mbetur në vendin e fundit. Për t’u theksuar edhe kontestimi i ashpër i tifozerisë beratase ndaj drejtuesve të klubit e sidomos kryetarit të bashkisë Nasufi.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›