E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampioni kërkon kualifikimin në Torino

Kampioni aktual i Evropës, Chelsea do ta kërkojë kualifikimin në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve sonte në Torino, ku e pret Juventusi. Ky i fundit ndërkohë shpreson ende për të ecur përpara, edhe pse do të ketë punë të vështirë. Paqartësi ka edhe në grupet tjera, ku shquhet takimi ndërmjet Valencias dhe Bayernit. Ndërkaq, Barcelonës do t’i mjaftonte një barazim në Rusi ndaj Spartakut për të ecur tutje.

Një pjesë e mirë e ekipeve mund t’u bashkohen tri skuadrave Porto, Malaga e Manchester United në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve pas ndeshjeve të xhiros së pestë të fazës së grupeve, që do të zhvillohen të martën dhe të mërkurën. Sonte është radha e Grupeve E, F, G e H me kryendeshjen Juventus – Chelsea, e cila mund të jetë vendimtare për fatin e këtyre dy skuadrave.

Kampioni aktual evropian e ka fituar vetëm një takim nga tetë vizitat që ka pasur në Itali, ndaj Lazios, ndërsa në takimet tjera ka pësuar 4 humbje dhe 3 barazime. Në rast të fitores në Torino, Blues do të kualifikoheshin matematikisht, por ata nuk do të mbeteshin keq edhe më barazim.

Në anën tjetër, ‘Zonja e Vjetër’ është e obliguar t’i fitojë së paku 4 pikë në dy ndeshjet e fundit, përfshirë edhe këtë me londinezët, për të shpresuar në kualifikim. Në ndeshjen tjetër të Grupit E, nëse Shakhtari fiton ndaj Nordsjaellandit, do të ishte me një këmbë në fazën tjetër.

Grup tejet interesant është edhe ai F. Tri skuadra do t’i kërkojnë në takimet e mbetura dy vendet e para, që çojnë në të tetën e finales. Kryendeshja zhvillohet në stadiumin Mestalla, ku takohen ekipet kryesuese Valencia dhe Bayern Munich. Cilado skuadër që fiton do ta siguronte kualifikimin, ndërsa barazimi eventual do t’ia mbante gjallë shpresat për një kualifikim historik BATE Borisovit, i cili e pret në shtëpi ekipin më të dobët të grupit Lille, që s’ka asnjë pikë.

Në Grupin G, Barcelonës do t’i mjaftonte një barazim në Rusi ndaj Spartak Moskës për të ecur tutje, kurse Benfica, nëse e mposht Celticun, do t’i ruante gjasat për kualifikim. Në të kundërtën, festa do të shkonte në Skoci.

Në Grupin e fundit, atë H, do të zhvillohet një luftë e rreptë për pozitën e dytë, pasi që vendi i parë është rezervuar nga gjiganti anglez Manchester United. Galatasaray do ta gostitë pikërisht ekipin e Sir Alex Fergusonit me shpresën e një fitoreje, e cila do t’ia rriste gjasat për të shkuar përpara. Të njëjtat aspirata i kanë edhe Cluj e Braga, që do të përballen në mes vete në ndeshjen më të rëndësishme të fazës së grupeve për to.

Liga e Kampionëve

E martë

Grupi E

Juventus – Chelsea 20:45

Nordsjaelland – Shakhtar 20:45

Grupi F

BATE Borisov – Lille 18:00

Valencia – Bayern M. 20:45

Grupi G

Spartak Moskva – Barcelona 18:00

Benfica – Celtic 20:45

Grupi H

Galatasaray – Man. United 20:45

CFR Cluj – Braga 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›