Drogba nuk do të lëvizë nga Çelsi
Menaxheri i Çelsit Karlo Ançeloti beson se sulmuesi Didier Drogba ka ende të ardhme në klub, pavarësisht ardhjes së Fernando Torresit. Drogba, 33 vjeç, shënoi një dhe ndihmoi në realizimin e dy golave të tjerë në fitoren e Çelsit në transfertën e Uest Bromuiç të shtunën. “Torres është blerë pasi është futbollist i shkëlqyer, i ri, por kjo nuk nënkupton se Didier duhet të largohet. Ai në të kaluarën ka qenë futbollist shumë i rëndësishëm për klubin dhe do të jetë i tillë edhe në të ardhmen”, tha Ançeloti. Drogba ka vetëm edhe një vit në kontratën e tij pas përfundimit të këtij sezoni dhe spekulohet se mund të largohet nga “Stamford Bridge” gjatë afatit kalimtar të verës.