S’ka zovëglim të Superligës

Fillimin e edicionit të ri, i cili nisë më 18 gusht, klubet e Superligës, posaçërisht ato të cilat në secilin vit luftojnë për mbijetesë, mund ta presin më të qeta.
Kjo pasi numri i skuadrave në Superligë nuk do të zvogëlohet fare prej edicionit 2013/2014, siç kishte paralajmëruar para disa ditëve Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së fillimisht kishte vendosur që vetëm edhe në kampionatin e ri, i cili nis më 18 gusht, në Superligë të garojnë 12 skuadra. Ndërsa ky organ i kishte kërkuar Këshillit Profesional ta hartojë një sistem të ri garues për edicionin 2013/2014, në të cilin do të garonin vetëm 10 ekipe.
Mirëpo, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së pritet ta shfuqizojë këtë vendim me insistimin e Këshillit Profesional. Ky Këshill, i kryesuar nga trajneri i njohur kosovar Ajet Shosholli, i ka sugjeruar Komitetit Ekzekutiv të FFK-së që mos ta zvogëlojë numrin e skuadrave në Superligë, por prej edicionit 2013/2014 vetëm të ndryshohet paksa sistemi garues.
“Ishin dy opsione, Superliga të bëhet me 10 ekipe ose të vazhdohet me 12 skuadra, por me një ndryshim të vogël të sistemit garues. Si Këshill Profesional i propozuam Komitetit Ekzekutiv që mos të zvogëlohet numri i skuadrave të Superligës”, deklaroi Shosholli për Express.
“Mirëpo, ne propozuam që prej edicionit 2013/2014, skuadra e dymbëdhjetë dhe ajo e njëmbëdhjetë të bien direkt nga Superliga dhe të zëvendësohen me ekipin e parë dhe të dytë të Ligës së Parë. Kurse ekipi i dhjetë dhe ai i nëntë mbijetesën në Superligë ta kërkojnë në ndeshje barazhi me skuadrën e tretë dhe të katërt të Ligës së Parë”, shpjegoi ai.
Shosholli tha se ky sugjerim është mirëpritur nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, që shumë shpejt pritet ta miratojë.
“Në biseda të ndërsjella kemi kuptuar se ky propozim është pëlqyer nga Komiteti Ekzekutiv, andaj shumë shpejt pritet ta miratojë”, u shpreh ai.
Sipas tij, ky sistem garues mund ta ngritë cilësinë e garave të Superligës. “Garat do të bëhen shumë më interesante, sepse ekipet do të luftojnë për pozita sa më të larta të tabelë për t’i ikur rrezikut për të rënë nga Superliga, e po ashtu do të zvogëloheshin manipulimet”, tha Shosholli.
Në anën tjetër, edhe sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, konfirmoi se numri i skuadrave në Superligë nuk do të zvogëlohet.
“Jo, nuk do të zvogëlohet numri i skuadrave. Por, dy skuadrat e fundit të tabelës do të bien nga Superliga, kurse vendi i dhjetë dhe i nëntë do të luajnë në barazh me ekipin e tretë dhe të katërt të Ligës së Parë. Pra, vetëm një ekip më shumë do të futet në barazh”, tha Salihu për Express.