E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’kryen punë fusnota

Pavarësisht marrëveshjes mes Prishtinës e Beogradit për përfaqësimin rajonal të Kosovës me fusnotë, udhëheqësit e futbollit kosovar nuk janë ftuar fare nga zyrtarët e Federatës së Serbisë në një takim të përbashkët, që do ta kenë sot me krerët e federatave të vendeve tjera të rajonit. Në takim i pranishëm do të jetë edhe presidenti i UEFA-s, Michel Platini. Megjithatë, kosovarët nuk po ia zënë për të madhe Serbisë sa po ia zënë UEFA-s, që nuk po pajtohet me realitetin e ri të Kosovës.

Marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel mes Prishtinës e Beogradit për përfaqësimin rajonal të Kosovës me emrin ‘Kosovo’ dhe fusnotën që përmend Rezolutën 1244 dhe opinionin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë, duket se nuk e ka zbutur fare qëndrimin e Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS) karshi Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Në fakt, presidenti i UEFA-s, Michel Platini, të enjten ka udhëtuar për një vizitë dyditore në Beograd, me ftesë të FSS-së. Ai të premten do të marrë pjesë në ceremoninë që do të organizohet në qendrën sportive të Stara Pazovas, me rastin e emërimit të njërës prej fushave të kësaj qendre me emrin e legjendës franceze. Më pas, Platini do të takohet me drejtues të FSS-së dhe me krerë të federatave të vendeve tjera të rajonit, si me ata të Maqedonisë, Shqipërisë, Kroacisë dhe Bullgarisë.

Por, në këtë takim me Platinin, serbët nuk i kanë ftuar fare krerët e FFK-së. Sekretari i përgjithshëm i shtëpisë së futbollit kosovar, Eroll Salihu tha se me kolegët e tij as që kanë pritur ftesë nga Beogradi, duke e parë qëndrimin e ‘egër’ të serbëve karshi futbollit kosovar.

Por, ai theksoi se FFK-së po i mbetet hatri në UEFA-n që nuk po e lejon të paktën t’i organizojë ndeshje miqësore ndërkombëtare përfaqësueses së Kosovës dhe klubeve të saj.

“Këtë sjellje të UEFA-s karshi Kosovës nuk di si ta komentoj ndryshe, veç si një diskriminim të madh. Nuk e kuptoj UEFA-n se si nuk na lejon të luajmë futboll, kur thuajse e gjithë Evropa e ka njohur shtetin e Kosovës. Ky është diskriminim shumë i madh”, u shpreh Salihu.

Në të njëjtën kohë, në Beograd do të mbahet edhe Këshilli i 12-të i Konferencës Evropiane të ministrave të sportit, me të cilët do të takohet Platini, por që do të mungojë ministri kosovar Memli Krasniqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›