E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjen Berisha, largohet Beqiraj ?

Paraqitjet e shkëlqyeshme në Australi kanë bërë që ylli i Brisbane Roar, Besart Berisha ta tërheqë vëmendjen e klubeve nga kontinente të ndryshme. Por, Dinamo e Zagrebit duket të jetë më e interesuara për t’i siguruar shërbimet e sulmuesit kosovar. Ata e shohin atë si zëvendësues ideal të Fatos Beqirajt, që spekulohet se gjatë verës do të largohet nga Maksimiri.

Pas një periudhe të errët të kaluar nëpër skuadra evropiane, Besart Berisha ‘rilindi’ në Australi, ku u transferua para fillimit të këtij edicioni te kampioni aktual i këtij vendi, Brisbane Roar.

Falë 18 golave që i realizoi sulmuesi kosovar gjatë këtij edicioni, Brisbane Roar ende është në garë për ta mbrojtur titullin e kampionit, pasi aktualisht i ka vetëm dy pikë më pak sesa lideri Central Cost Mariners – kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund të këtij kampionati. Por, edhe nëse Brisbane Roar nuk ia del ta mbrojë titullin, një çmim do të shkojë në këtë skuadër. Fjala është për çmimin e golashënuesit më të mirë të A-Leagues, i cili do t’i takojë Berishës.

Andaj, paraqitjet e shkëlqyeshme të sulmuesit kosovar gjatë këtij kampionati në A-League i kanë impresionuar klubet tjera nga të gjitha kontinentet e botës, përfshirë edhe disa skuadra nga kontinenti evropian.

Por, mediet kroate kanë raportuar se gjiganti i Kroacisë, Dinamo e Zagrebit është shumë e interesuar që t’i sigurojë shërbimet e futbollistit prishtinas qysh gjatë afatit kalimtar të verës. Sipas atyre medieve, kryeqytetasit kroatë tash e një kohë të gjatë janë duke e vëzhguar nga afër Berishën.

Gjithnjë sipas atyre medieve, drejtori sportiv i Dinamos, Zoran Mamic, deri më tani i ka shikuar nga afër tri paraqitje të Berishës me Brisbane Roar. Kanë mjaftuar vetëm ato tri ndeshje që Mamic ta fitojë bindjen se Berisha do të mund të shkëlqente me fanellën e gjigantit kroat.

Raportohet se Mamic tashmë i ka rekomanduar vëllait të tij, respektivisht presidentit të Dinamos, Zdravko Mamic, që ta nisë procesin e transferimit të Berishës nga Australia në Kroaci. Pra, kroatët tashmë janë duke e përgatitur një ofertë, me të cilën do të përpiqen ta bindin klubin australian ta lirojë Berishën për t’iu bashkuar Dinamos gjatë verës që po vjen.

Në fakt, raportohet se trajneri i Dinamos, Ante Cacic, ka kërkuar nga drejtuesit e klubit që t’ia sjellin në ekip të paktën një sulmues për edicionin e ardhshëm, pasi gjatë verës Dinamo pritet të mbetet pa dyshen sulmuese Ante Rukavina dhe Fatos Beqiraj, të cilët po kërkohen nga disa skuadra evropiane. Prandaj, gjasat janë të mëdha që Berisha në Dinamo ta zëvendësojë bashkëkombësin e tij Fatos Beqirajn, i cili aktualisht prin në listën e realizuesve më të mirë në kampionatin kroat.

Edhe vetë Cacic e ka konfirmuar interesimin e klubit të tij për Besart Berishën. “Shpërthimin e Besart Berishës në kampionatin e Australisë po e ndjekim prej kohësh dhe kemi fituar bindjen se ai do të ishte një përforcim i qëlluar dhe i nevojshëm për skuadrën tonë”, citohet të ketë thënë Cacic.

Nëse Besart Berisha do të transferohej në Kroaci, nga ky transferim do të mund të përfitonte edhe Kombëtarja e Shqipërisë. Kjo pasi Berisha do të mund të rikthehej pa problem në ekipin kuq e zi, gjë që nuk mund ta bëjë përderisa jeton e vepron në Australi shkaku i largësisë së madhe mes atij vendi dhe Shqipërisë. Kështu pati deklaruar vetë prishtinasi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›