E Shtunë, 31 Tetor 2026

SEEMO për Surroin: Çmim i merituar

Publicisti Veton Surroi, njëherësh kryetar i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, është shpërblyer të enjten nga Bordi i organizatës për media të Evropës Juglindore (SEEMO) me Çmimin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2011.
 

Me këtë çmim, Surroi është shpërblyer për përkushtimin e vazhdueshëm të tij për të drejta të njeriut në të gjitha aktivitetet e tij profesionale gjatë konferencës ndërkombëtare për Agjencitë e Reja dhe Mediat e Reja në Evropën Juglindore, e cila ka filluar punimet të enjten në Prishtinë.
 

Surroi, i cili është kosovari i parë i shpërblyer me këtë çmim nga SEEMO, ka deklaruar se ky çmim ka një rëndësi të veçantë. “Një çmim i tillë për mua do të thotë një mirënjohje, sepse këto gjëra nuk bëhen vetëm, por bëhen bashkë dhe unë gjatë këtyre viteve jam ndihmuar dhe mbështetur nga shumë njerëz nga organizata të ndryshme dhe shoqëria civile”, ka thënë Surroi.
 

“Puna jonë nuk ka përfunduar dhe jemi një grup i njerëzve të cilët akoma duhet të luftojmë për lirinë e shtypit”, ka vijuar Surroi. Sipas tij, “autoritetet do të mundohen që të kufizojnë mediat dhe këto të fundit duhet t`i zgjerojnë kufijtë e shprehjes”, ka porositur Surroi me rastin e pranimit të çmimit nga Mitja Mershol, president i Qendrës Ndërkombëtare të Medieve në Lubjanë, i cili e ka vlerësuar lartë kontributin e Surroit. “Lirisht mund të them se ju e meritoni këtë çmim nga SEEMO”, ka pohuar ai.
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›