E Shtunë, 31 Tetor 2026

SFF - Promotori i filmave rajonalë

Edicioni i 17’të i Sarajevo Film Festival (Festivali i Filmit i Sarajevës), i cili nisi më 22 korrik, përmban programe të shumta dhe të llojllojshme nëpërmjet të cilave promovon në mënyrën më të mirë realizimet filmike rajonale. Deri më 31 korrik vizitorët do të kenë rastin të shohin 205 filma, në mesin e të cilëve edhe dy filma artistikë shqiptarë dhe një realizim dokumentar shqiptaro-boshnjak. Nga Express më 27 korrik 2011 në ora 16:48

Falë Festivalit Filmik të Sarajevës (SFF), kryeqytetit boshnjak me kalimin e viteve po shndërrohet në vendin më të rëndësishëm të tubimit të filmave nga Evropa Juglindore. Sivjet, programi garues ka joshur mbi 150 mysafirë, regjisorë, skenaristë, producentë, aktorë dhe punonjës tjerë filmikë. Sarajeva është përfshirë nga ethet e filmit, andaj vizitorëve nuk iu pengoi shpërngulja e projeksioneve të para në sallat alternative, për shkak të shiut.

SFF po vazhdon traditën e promovimit të suksesshëm të filmave rajonalë, kështu që publiku të hënën mbrëma e përshëndeti zëshëm ekipin e filmit kroat “Fleke” (Shenjat) të regjisorit Aldo Tardozzi, i cili shëtiti nëpër qilimin e kuq të vendosur para Teatrit Popullor. Të martën mbrëma ndërkaq u shfaq filmi i italianit Nani Moretti, “E kemi Papën”, i cili në fakt është një mënyrë satirike dhe interesante e rrëfimit të asaj që ndodh prapa skenës gjatë zgjedhjes së papës së ri. Filmi theu të gjitha rekordet e shikueshmërisë në Itali.

Wim Wenders me krijues të rinj

Në programin e së martës ishte edhe filmi dokumentar “Understand Me, Understand Us" (Me Kupto Mua, Na Kupto Neve), i prodhuar me ndihmën e Këshillit të Evropës në BeH, i cili i shfaq në kuadër të sloganit të sivjetmë evropian “Të Jetojmë Bashkërisht Brenda Larmisë dhe Lirisë së Evropës së Shekullit 21”.

Edicioni i 17 i SFF përmban përplot përmbajtje të llojllojshme dhe kualitative, kështu që me përmbajtjen shumë të mirë të tij në Sarajevë erdhën edhe mysafirë të njohur. Në mesin e tyre është edhe njëri ndër regjisorët më të mirë të së sotmes, Wim Wenders. Ai erdhi në festival me filmin e tij të ri “Pina”, i cili i kushtohet Pina Bauach, njërës ndër artistet dhe koreografet më të njohura të shekullit të 20. veç kësaj, në kuadër të programit ‘Sarajevo Talent Campus’, Winders do të shfaqet edhe si ligjërues para krijuesve të rinj filmikë.

"Unë ligjërojë tash 20 vjet dhe e di se partnerët më të mirë për krijuesit e rinj janë pikërisht kolegët e tyre nga vendet e ndryshme të botës. Ata do të mësojnë më shumë prej tyre, se nga ne filmbërësit. Edhe unë dikur isha i ri, por asokohe nuk ekzistonte një kam i tillë. Do të doja të ekzistonte dhe vërtet do të kënaqesha po të ishte kështu”, tha Winders.

Pa përkrahje të shtetit

Buxheti i sivjetmë i SFF është 1,200,000 euro, gjegjësisht është shumëfish më i ulët krahasuar me manifestimet e ngjashme kulturore në Evropë, tregon drejtori i festivalit, Misrad Purivatra.

"Vitin e kaluar SFF’së nga Këshilli i Ministrave iu ndanë zero euro. Edhe sivjet iu ndanë po aq, kështu që edhe këto veprime paraqesin njëlloj mbështetjeje të shtetit kushtuar SFF’së. Megjithë respektin, nga raporti shihet se paratë kishin shkuar për folklorin në Grude, për shoqatën e rapsodëve në Pale, dhe për manifestime tjera të ngjashme. Nëse këto qenkan kriteret, atëherë pajtohemi edhe ne, por vetëm le të dihet qartë se cilat janë kriteret”, i tha Purivatra radios së Federatës së BeH.

Deri më 31 korrik vizitorët do të kenë rastin të shohin 205 filma artistikë, dokumentarë, të shkurtët dhe të animuar. Edicioni i 17 i SFF’së do të mbyllet me premierën botërore të filmit të shkurtët “Prtljag” (Valixhja) të regjisorit boshnjak Danis Tanovic, i cili me këtë film sërish iu kthehet temave të luftës dhe pasojave të saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›