E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA – Biden: U tërhoqa nga gara presidenciale për të mbrojtur demokracinë

UASHINGTON, 25 korrik /ATSH-ANSA/- Unë besoj se statusi im si president, lidershipi im në botë, vizioni im për të ardhmen e Amerikës meritonin të gjitha një mandat të dytë, tha sot presidenti amerikan Joe Biden – gjatë një fjalimi solemn historik 15-minutësh drejtuar kombit.

“Por, asgjë nuk e pengon shpëtimin e demokracisë sonë, dhe kjo përfshin ambicien personale”, tha Biden.

“Zgjidhja më e mirë është që kjo detyrë t’i kalohet një brezi të ri. Kjo është mënyra më e mirë për të bashkuar kombin dhe partinë tonë”, shtoi ai.

Biden shpjegoi arsyen e tërheqjes së tij nga gara presidenciale, e cila erdhi mes presionit në rritje të partisë se tij – pas debatit televiziv me Donald Trump.

“Mbrojtja e demokracisë është më e rëndësishme se çdo titull”, tha Biden.

“Zëvendësja ime Kamala Harris, të cilës i dhashë mbështetjen time është eksperte, e ashpër dhe e aftë”, tha ai duke shtuar se “ka ardhur koha për zëra të rinj”.

“Në gjashtë muajt e ardhshëm do të fokusohem në punën time si president. Kjo do të thotë se do të vazhdoj të reduktoj kostot për familjet që punojnë shumë dhe të rris ekonominë në vend”, shtoi Biden.

“Unë do të vazhdoj të mbroj liritë tona personale dhe të drejtat tona civile, nga e drejta për të votuar tek e drejta për të zgjedhur. Dhe do të vazhdojë të punojë për paqen në Gazë dhe për të ruajtur mbështetjen për Ukrainën”, tha presidenti amerikan.

“Kur mora detyrën, ne ishim në mes të krizës më të keqe ekonomike që nga kriza e rëndë ekonomike dhe financiare që tronditi ekonominë botërore “The Great Depression”, tha Biden.

“Raporti i sotëm i PBB-së e bën të qartë se tani kemi ekonominë më të fortë në botë”, tha presidenti i SHBA-së duke iu referuar të dhënave të tremujorit të dytë.

“Ekonomia në SHBA u rrit me 2,8% në tremujorin e fundit, falë konsumatorëve të fortë amerikanë dhe investimeve të biznesit”, theksoi ai.

“Kemi krijuar afro 16 milionë vende pune, pagat janë rritur dhe inflacioni është në rënie. Ne po rindërtojmë kombin dhe po e rikthejmë industrinë e prodhimit në Amerikë në nivelet e mëparshme”, tha Biden. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›