SHBA – Të paktën shtatë të vdekur në një aksident ajror në Kentaki

UASHINGTON, 5 nëntor /ATSH-DPA/ – Një aeroplan transportues mallrash u rrëzua dje pak pasi ishte ngritur nga aeroporti ndërkombëtar “Louisville Muhammad Ali “në shtetin amerikan të Kentakit duke shkaktuar të paktën shtatë viktima, njoftoi guvernatori Andy Beshear.
“Për momentin besojmë se kemi të paktën shtatë viktima, megjithëse mendoj se ky numër do të rritet”, u tha Beshear gazetarëve.
“Së paku 11 persona janë plagosur, disa prej tyre rëndë”, shtoi ai, duke theksuar se të plagosurit janë dërguar në spital.
Sipas kompanisë amerikane të shpërndarjeve “UPS”, bëhej fjalë për një avion transportues mallrash të saj me tre anëtarë ekuipazhi në bord.
Aeroporti u mbyll pas incidentit dhe fluturimet drejt e nga Louisville u pezulluan përkohësisht, njoftoi aeroporti në llogarinë e tij në X.
Sipas “UPS”-it, avioni i linjës së gjatë ishte nisur nga Louisville drejt një aeroporti në Honolulu, në shtetin amerikan të Havait.
Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit të SHBA-së (NTSB) është përgjegjës për hetimin e shkaqeve të aksidentit, thanë autoritetet lokale.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin një top të madh zjarri dhe re të dendura tymi që ngriheshin në ajër. Policia lëshoi një urdhër për qëndrim në vend për disa pjesë të zonës. /Ad.Ab./