SHBA – Trump: Izraeli nuk do të përdorte kurrë një armë bërthamore kundër Iranit

UASHINGTON, 17 mars /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u tha gazetarëve se nuk beson se Izraeli do të përdorte një armë bërthamore për të zgjidhur problemet e tij – edhe pse shteti hebre nuk e ka pranuar kurrë se zotëron armët vdekjeprurëse.
I pyetur nga një gazetar në lidhje me një koment që këshilltari i Trump, David Sacks, bëri në një podcast, në të cilin ai spekuloi se Izraeli mund të përshkallëzonte luftën dhe të merrte në konsideratë përdorimin e një arme bërthamore, Trump tha se “Izraeli nuk do ta bënte këtë. Izraeli nuk do ta bënte kurrë këtë”.
Izraeli ka ndjekur për vite me radhë një politikë të paqartësisë së qëllimshme për të shmangur konfrontimet mbi programin e tij bërthamor.
Politikanë të lartë izraelitë kanë theksuar vazhdimisht se Izraeli nuk do të ishte vendi i parë i Lindjes së Mesme që do të zotëronte armë bërthamore.
Sipas vlerësimeve nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Izraeli zotëron 90 koka bërthamore./ a.jor.