SHBA – Trump kërcënon Moskën me sanksione në shkallë të gjerë

UASHINGTON, 7 mars /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e ka kërcënuar Rusinë me sanksione dhe tarifa “të shkallës së gjerë” derisa të arrihet një armëpushim dhe marrëveshje paqeje me Ukrainën.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, në të njëjtën ditë kur rrjeti energjetik i Ukrainës u bombardua nga sulmet ajrore, Trump vuri në dukje se Rusia “po godiste Ukrainën në fushën e betejës”.
Për shkak të kësaj, Trump shkroi se ai po shqyrtonte vendosjen e sanksioneve bankare në shkallë të gjerë dhe tarifave ndaj Rusisë.
Ai bëri thirrje që të dyja palët të uleshin në tryezën e bisedimeve dhe të arrinin një marrëveshje përfundimtare për paqen.
Kritikat e presidentit ndaj Moskës vijnë mes marrëdhënieve të tensionuara të Uashingtonit me Kievin – pas një vizite të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar.
Shpërthimi publik i dy liderëve çoi në pezullimin e ndihmës ushtarake dhe shkëmbimit të informacioneve të shërbimeve sekrete me Kievin nga Trump. //a.i/