E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA- Berishës: Hap kutitë

UASHINGTON- Hapjen e kutive të votimit, Kryeministrit Sali Berisha nuk po ia kërkon vetëm opozita shqiptare por edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje kësaj here në mënyrë të qartë dhe të hapur, pa asnjë ekuivok.


Nëpërmjet një letre drejtuar kreut të qeverisë shqiptare, Kryetari i Nënkomitetit për Europën i Komitetit të Politikës së Jashtme të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Bill Delahunt, i kërkon Kryeministrit Berisha që të hapë kutitë e votimit, si rruga e zgjidhjes së krizës politike, por edhe si mënyra për forcimin e institucioneve demokratike në vend. Hapja e kutive të votimit, sipas Bill Delahunt, do të mundësonte gjithashtu edhe përmirësimin e sistemit elektoral në të ardhmen.


"Për më tepër, ju nxis juve që të hapni kutitë e kontestuara të votimit, në kuadrin e hetimit parlamentar të propozuar. Ky veprim është në përputhje me një përkushtim të fortë ndaj procesit demokratik të lirë e të ndershëm dhe do të mundësonte një vlerësim të qartë në funksion të përmirësimit të sistemit elektoral në të ardhmen",- i drejtohet Delahunt, Berishës në letrën e tij.


Kongresmeni i lartë amerikan në letrën e tij, i referohet edhe tërheqjes nga ana e mazhorancës së ligjit mbi Shërbimin Informativ Kombëtar, duke theksuar se Shqipëria duhet të forcojë sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike.


"Sidoqoftë, duke pasur parasysh shembullin e fundit në lidhje me legjislacionin mbi shërbimin e inteligjencës, të cilin ju e tërhoqët nga Parlamenti nën presionin e aleatëve të NATO-s, si dhe ngërçin politik që pasoi zgjedhjet parlamentare të vitit që shkoi, Shqipëria duhet të vazhdojë të konsolidojë institucionet e saj demokratike dhe të forcojë sundimin e ligjit",- shkruan Delahunt.


Kreu i Nënkomitetit të Politikës së Jashtme për Europën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, bën një edhe një panoramë situatës politike, duke përfshirë vizitën e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por edhe për ngritjen e njëanëshme të komisionit hetimor nga ana e shumicës. Mbi të gjitha këto Delahunt specifikon hapjen e kutive të votimit si një mundësi për përmirësim e kuadrit elektoral shqiptar.


"Jam në dijeni se një delegacion i kohëve të fundit i Këshillit të Evropës ka propozuar një zgjidhje të krizës politike bazuar në parimet e mëposhtme, parime që janë të bazuara tek korniza kushtetuese e Shqipërisë: Krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e Qershorit 2009, të kryesuar nga një përfaqësues i opozitës dhe në të cilin opozita do të ketë një mazhorancë efektive; amendime të Kodit Elektoral, të përgatitura nga komisioni hetimor dhe në përputhje me rekomandimet e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, si dhe me Rezolutën 1709; dhe dhënien opozitës së një pjese të drejtë të kryesive të komisioneve parlamentare",- thekson Delahunt.


Në përfundim të letrës së tij, Kongresmeni Delahunt, qartëson se zgjidhja në një kohë sa më të shkutër e krizës politike është mëse e domosdoshme për Shqipërinë. Për këtë arsye, Delahunt shprehet se nga zgjedhjet e besueshme dhe nga institucionet e konsoliduara demokratike, nuk do të përfitonte vetëm populli shqiptar, por do të forcoheshin më tej marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Amerikës, si dhe do të rritej pozicioni politik i saj në NATO dhe Evropë.


Përpos kërkesës themelore për hapjen e kutive të votimit, ai vlerëson edhe përparimin që ka bërë Shqipëria deri më tani, duke përmendur këtu anëtarësimin e saj në organizatën e Atlantikut të Veriut si dhe afrimin me Bashkimin Evropian. Apeli i Shteteve të Bashkuara pason thirrjet e senatit amerikan i disa ditëve më parë, për të zgjidhur krizën politike, por me ndryshimin e vetëm, pasi apeli i kongresmenit Bill Dulhant është për hapjen e kutive të votimit si rrugë për zgjidhjen e ngërccit politik, që vazhdon prej gati 8 muajsh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›