E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet bossi i piramidës Kambo Marshall

KAMBO
Autoritetet e burgjeve e argumentuan lirimin e Ylli Kambos, me përfundimin e dënimit prej 10 viteve në burg të dhënë në vitin 2000


Në vitet '97- '97, Kambo mblodhi 78 milionë lekë nga kreditorë të ndryshëm, në formën e firmës rentiere

TIRANË- Në orën 14:30 të së dielës, oficeri i rojes së burgut të Vaqarrit, me miratimin e juristit të institucionit dhe firmën e drejtorit Valentin Miri, i hapi derën e qelisë ish-themeluesit të firmës piramidale "Kambo Marshall", 57- vjeçarit Ylli Kambo.


Kështu ish- bosit të piramidës, iu dha liria, për shkak të mbarimit të vuajtjes së dënimit prej 10 viteve. Pavarësisht kërkesave të shumta të 57-vjeçarit Kambo, të shqyrtuara nga Gjykata e Shkallës së Parë për lirimin e tij me kusht, ajo nuk u realizua duke bërë që ish-bosi i firmës piramidale "Kambo Marshall" të lirohej në plotësim të kohës së dënimit prej 10 vitesh dhënë nga Gjykata e Apelit pas ekstradimit të tij nga Rumania.


Kambo e ka shfrytëzuar mirë legjislacionin penal, duke përfituar thuajse çdo vit që nga dita e ekstradimit ulje dënimi për muaj të ndryshëm dhe përfitim nga amnistia e veprës penale e ish-Presidentit Alfred Moisiu.


Këto përfitime, ndihmuan Kambon të lirohej nga qelia, pas vuajtjes së 7 vite e një muaj burg, që nga dita e hyrjes së tij në qelitë shqiptare. Për lirimin e tij, drejtuesit e institucionit të vuajtjes së dënimit Vaqarr, konfirmuan lirimin e tij me argumentimin e përfundimit të ditëve të burgut.


"Nga përllogaritja e dinamikës së burgut, rezultoi i dënuari me 25 prill 2010 përfundoi ditët e dënimit dhe u lirua në orën 14:30"-thanë zyrtarët e burgut të Vaqarrit. Ndërkohë, sipas vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë që "Shekulli" posedon, Ylli Kambo që nga data 24 prill 2003, ka përfituar në disa raste ulje dënimi për afërsisht 3 vite.

Në tri raste ka përfituar ulje dënimi për sjellje të mirë (dy herë nga 3 muaj dhe njëherë 5 muaj burg), ka përfituar një vit e gjysmë, nga amnistia e ish-Presidentit Alfred Moisiu dhe 7 muaj i janë njohur nga Gjykata për ditët e qëndrimit të tij në burg fillimisht dhe më pas në Rumani nga ku edhe u ekstradua. Sipas kësaj përllogaritjeje, ish-bosi i firmës piramidale "Kambo Marshall" ka qëndruar në burg për shtat vite fiks, ndërsa për tre vitet e tjera të dënimit ka përfituar ulje.


Sipas vendimit të 25 majit 2001 të Gjykatës së Tiranës, i pandehuri 57-vjeçar Kambo është dënuar me 10 vjet burgim për kryerjen e veprës penale të "Vjedhjes së pasurisë me anë të mashtrimit" në 62 raste në vlerën e mbi 78 milionëve lekë të reja. Ky vendim ka marrë formën e prerë më pas në Gjykatën e Apelit.


Por, edhe pas ekstradimit të Kambos nga Rumania, Gjykata e Shkallës së Parë nuk ka pranuar rivendosjen në afat për ta rigjykuar në Apel, vendim ky që është lënë në fuqi më pas. Gjithashtu, i liruari tashmë Kambo i është drejtuar edhe Gjykatës së Lartë me rekurs, i cili nuk është pranuar me datë 23 prill 2009.


Ndërkohë, nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet i liruari Kambo ka qenë dënuar edhe për "falsifikim të pasaportës", vepër kjo e konsumuar në momentin e ekstradimit të tij nga Rumania.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›