SHBA- Terroristët janë përzgjedhur e dërguar pranë objektivave të sulmit
SHBA- Shërbimet e Fshehta Amerikane kanë paralajmëruar duke nxjerrë informacione se sipas tyre komploti kundër ambasadave amerikane është në zhvillim, ndërsa terroristët që do të kryejnë sulmet janë përzgjedhur dhe dërguar pranë objektivave të tyre të sulmit.
Ky është informacioni që japin ato në lidhje me një sulm të Al-Kaedës, që ka shtyrë në mbylljen e 22 ambasadave amerikane në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.
Sipas agjensisë së lajmeve ‘ANSA’, funksionarët e Shërbimeve Sekrete i referohen burimeve të mirëinformuara, me shumë gjasa brenda Al-Kaedës apo degëve të saj. Ajo që ende nuk është bërë e ditur për publikun është ora dhe objektivi konkret i sulmit. Për këtë janë marrë të gjitha masat paraparake, si nga mbyllja e ambasadave dhe përforcimi i perimetrit mbrojtës në të gjitha selitë diplomatike të konsideruara nën kërcënim.