SHBA, debate për buxhetin dhe uljen e deficitit

Me afrimin e afatit të fundit për të ulur deficitin masiv buxhetor të Shteteve të Bashkuara, ligjvënësit nga të dyja partitë duket se po i zbusin qëndrimet ideologjike me shpresën për arritjen e një marrëveshjeje dypalëshe që do ta drejtonte Amerikën në një rrugë më të shëndoshë fiskale. "Zëri i Amerikës" shkruan se ekonomistët pohojnë se qeveria amerikane duhet të shpenzojë më pak dhe të grumbullojë më shumë të ardhura për arkën e shtetit përmes taksave, për të ulur deficitin që llogaritet në triliona dollarë. Por pjesa më e madhe e republikanëve janë kundër rritjes së taksave në çdo formë, dhe pjesa më e madhe e demokratëve kundërshtojnë shkurtime në shpenzime që do të dëmtonin programe në ndihmë të të varfërve dhe të moshuarve. Si rezultat, Kongresi është mbërthyer në një qorrsokak politik, ku asnjëra parti nuk arrin të përmbushë pikëpamjet e saj dhe kompromisi është e vetmja rrugë për të miratuar një ligj. Por duket se po shihet një rreze shprese. Ndërkohë që mbeten vetëm pak javë për të arritur shkurtime buxhetore në masën 1.2 trilion dollarë për 10 vjetët e ardhshëm, një numër gjithnjë në rritje me ligjvënës nga të dyja partitë po shkëputen nga qëndrimet ideologjike me shpresën për të arritur një konsensus për uljen e deficitit me 4 ose më shumë trilionë dollarë. Ligjënësi Majk Simpson nga shteti Ajdaho është një ndër dhjetëra republikanë, të cilët tani e pranojnë se një rritje taksash është e nevojshme për të ardhurat qeveritare. Megjithë përpjekjet për të gjetur gjuhën e përbashkët mes demokratëve dhe republikanëve, ende ka mospajtime partiake. Për shembull, pjesa më e madhe e demokratëve duan rritje taksash mbi të pasurit, ndërsa republikanët duket se kufizohen vetëm tek eliminimi i shkurtimeve të mëparshme të taksave. Deficiti federal këtë vit është 1.3 trilion dollarë. Por deficitet e mëparshme të marra së bashku e çojnë shumën në 15 trilionë dollarë, thuajse të njëjtë me prodhimin e brendshëm bruto.