Greqia, ende pa një qeveri

Pas ditësh të tëra beteja bisedimesh apo edhe debatesh për pushtet, socialistët dhe konservatorët në Greqi do të ndërmarrin edhe një përpjekje tjetër gjatë ditës së sotme, për të përcaktuar kryeministrin e qeverisë së emergjencës. Një qeveri e përbashkët e bashkimit kombëtar do të shpëtojë në 100 ditët e ardhshme vendin nga falimentimi dhe do ta mbajë atë në zonën e euros. Përbërja e qeverisë kalimtare, duhet të ishte bërë e njohur që ditën e mërkurë. Kontradiktat midis kryeministrit të deritanishëm socialist, Giorgos Papandreou dhe udhëheqësit të pozitës Antonis Samaras, shpërthyen sërish publikisht. Si kandidatët më të mundshëm për postin e kryeministrit të ri janë vlerësuar së fundi ish-zëvendëspresidenti i Bankës Qendrore Evropiane Lucas Papadimos, dhe presidenti i parlamentit Filippos Petsalnikos, një mik i ngushtë i Papandreut. Në qoftë se nuk ndodh ndonjë e papritur e radhës, sic ishte dështimi i mbremshëm episodik i mbledhjes së krerëve partiakë, vendi do të ketë sot një kryeministër që sipas të gjitha gjasave do të jetë Llukas Papadhimos. Vendi që lindi demokracinë duket se e ka të vështirë të pranojë konsensusin politik. Mbledhja e krerëve partiakë e programuar për në orën shtatë të së mërkurës ku do të finalizohej edhe emri i kryeministrit të ri u anulua pas largimit episodik të kreut të nacionalistëve Jorgos Karaxhaferis, që kishte mbërritur i treti pas kryeministrit në dorëheqje Papandreu -më parë i kishte drejtuar për këtë mesazh kombit- dhe kreut të konservatorëve Samaras. Ndërsa Kryetari i Demokracisë së Re Andonis Samaras u kujdes që të distancohet menjëherë nga bllokazhi kompromentues, duke e hedhur topin në fushën e kundërshtarit Papandreu të cilin ishte ai që e çoi në dorëheqje. Llukas Papadhimos, kandidati më I mundshëm për të qenë kryeministër, mësohet se ka vendosur tre kushte: marrëveshja e 26 tetorit të nënshkruhet edhe nga Samaras që kundërshton, e djathta të marrë pjesë në skemën qeveritare me sa më shumë figura politike dhe mandati i qeverisë të zgjasë pak më shumë se 19 shkurti. Megjithatë, ende nuk ka një rezultat konkret në greqinë e trazuar politikisht dhe me problem të mëdha fiannciare.