SHBA, 7 persona akuzohen për vjedhje në internet

Shtatë persona që jetojnë në Estoni dhe Rusi janë akuzuar nga autoritetet amerikane, për përhapje të virusit në internet duke bllokuar miliona kompjutera në mbarë botën.
Një gjykatë federale në Menhetën të Nju Jorkut, ka njoftuar mbrëmë se të dyshuarit kishin krijuar kompani të rreme, dhe kishin bërë kontrata me faqet e internetit të reklamave të cilat dërgonin informacione të ndryshme me viruse.
Afro 4 milionë kompjutera në 100 vende, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, ishin infektuar me softuerët e dërguar.
Sipas padisë, gjatë katër viteve të kaluara, të pandehurve u ishin paguar afro 14 milionë dollarë, nga reklamuesit, në bazë të sasisë së klikimeve të këtyre faqeve.
Autoritetet amerikane thanë se gjashtë persona në Estoni janë arrestuar të martën, ndërsa i shtati, shtetas rus, mbetet në liri.