E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, 1.18 miliard dollarë ndihmë Pakistanit

Pakistani ka marrë 1.18 miliard dollarë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara për operacione kundër kryengritëse.

Zëdhënësi i Bankës Shtetërore të Pakistanit, Sajed Vasemudin, i tha Radios Evropa e Lirë, se kjo shumë është marrë dje.

Të hollat ishin bllokuar pas mosmarrëveshjeve ndërmjet dy vendeve lidhur me vrasjen e 24 ushtarëve të Pakistanit, në muajin nëntor të vitit të kaluar, gjatë një sulmi ajror të Shteteve të Bashkuara.

Menjëherë pas kësaj, Islamabadi i kishte bllokuar rrugët e furnizimit të NATO-s për në Afganistan.

Shuma prej 1.18 miliard dollarësh është një shenjë e përmirësimit të lidhjeve, disa ditë pas arritjes së marrëveshjes së re për rrugët e furnizimit të NATO-s.

Gjithashtu, ky zhvillim ndodhi pas vizitës së komandantit të forcave të NATO-s në Afganistan, Xhon Allen, në Pakistan, ku me liderët ushtarakë u diskutua për çështjet e sigurisë. Gjenerali Allen bisedoi edhe me komandantin më të lartë ushtarak pakistanez, Ashfaq Kajani.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›