SHBA-Afganistan, finalizohet marrëveshja e partneritetit

Marrëveshja e propozuar për partneritetin afgano–amerikan është finalizuar në Kabul nga të dërguarit e të dy vendeve, ambasadori amerikan në Afganistan, Rajan Kroker, dhe këshilltari për siguri kombëtare i Afganistanit, Rangin Dadfar Spanta.
Kjo marrëveshje duhet të miratohet nga ligjvënësit në të dy shtetet, para se ajo të nënshkruhet nga të dy presidentët.
Në marrëveshje përcaktohet korniza për ndihmën e ardhshme të Shteteve të Bashkuara dhe për këshillime qeverisëse, por nuk specifikohet nëse një numër i reduktuar i ushtarëve amerikanë dhe i këshilltarëve, do të mbeten në Afganistan, pas tërheqjes së planifikuar të NATO-s në vitin 2014.