Francë, Holland në epërsi ndaj Sarkozi, rivotimi më 6 maj

Me të gjitha votat e numëruara nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë, shifrat tregojnë se kandidati i Partisë Socialiste, Franso Holland, ka marrë 28.63 për qind të votave, ndërsa presidenti në detyrë, Nikolas Sarkozi, 27.08 për qind të tyre.
Meqë asnjëri s`ka marrë mbi 50 për qind të votave të nevojshme, edhe Holland, edhe Sarkozi do të garojnë në balotazhin e 6 majit.
Në anën tjetër, kandidatja e ekstremit të djathtë, Marinë Le Pen, ka siguruar 18.01 për qind të votave, shifër kjo rekord për Partinë e Frontit Kombëtar, të themeluar nga babai i saj, Zhan Mari Le Pen.
Mbështetja e konsiderueshme për të shihet edhe si kritikë për Hollandin dhe Sarkozinë. Le Pen ka thënë se nuk do të komentojë publikisht deri më 1 maj se cilin prej dy kandidatëve të mbetur e mbështet.
Kandidati i krahut të majtë, Zhan Luk Mellenshon, dhe veterani i qendrës, Franso Bajrou, qëndrojnë në vendin e katërt dhe të pestë në mesin e dhjetë kandidatëve të raundit të parë.