SHBA-BE, në rendin e ri botëror
Në shekullin e ri bota po përballet me një sistem të ri botëror, ku unilariteti amerikan po humbet terren përballë superfuqive të reja botërore dhe fuqive rajonale që po shfaqen fort në arenën ndërkombëtare. Kina dhe Rusia po ringrenë fuqinë e tyre diplomatike dhe ushtarake, duke e kthyer botën që për më shumë se një 10-vjeçar ka qenë njëpolare në një botë shumëpolare, ku marrëdhëniet e ndërsjella vështirësohen e ndërlikohen. Në një situatë të tillë lind nevoja për aleanca dhe aleancat ndërtohen nga të ngjashmit. Bashkimi Evropian, si një organizëm sui-generis dhe shtetet anëtare të tij veç e veç e gjejnë veten në mënyrë të natyrale pranë aleatit të vjetër, SHBA, pavarësisht kundërshtive në mënyrën e qasjes ndaj rendit botëror. Sikundër SHBA-të në një botë që u ofron surpriza dhe sfida të pafundme, një prej të cilave është lufta kundër terrorizmit, rruga e kërkimit të miqve e mbështetësve u kalon nga Evropa. E nëse s’do të gjejnë një dritë jeshile për çdo qëndrim e reagim, sidomos për qasjen nga gjuha e forcës, janë të sigurt që do të gjejnë aleatin më të fortë në aleancat e pasigurta që i detyron rendi i ri botëror, ku Kina dhe Rusia kanë rimarrë pozicionet e tyre të superfuqive.
Këtë tezë ky studim rend ta mbrojë në vazhdim duke marrë në analizë marrëdhëniet BE-SHBA në raport me sfidat që u shfaq përpara realiteti i sotëm politik. Mënyra e reagimit dhe mjetet e zgjedhura në marrëdhëniet ndërkombëtare nxjerrin ndryshime esenciale në sjelljen e këtyre dy fuqive. Ndërkohë që kjo mënyrë sjellje shihet fillimisht në raport me luftën kundër terrorizmit, ku pjesë të veçantë zë mënyra e qasjes ndaj “shteteve pirate”, një term ky i huazuar nga Robert Kagan në këtë punim, por i përdor tashmë botërisht në analizat e politikës ndërkombëtare, për shtetet që nuk zbatojnë rregullat ndërkombëtare, që janë shtete kryesisht jodemokratike dhe kanë lidhje me terroristët ose synojnë të bëhen një rrezik potencial për botën me prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë. Për të përligjur tezën se Evropa dhe Amerika gjejnë aleaten tek njëra-tjetra pavarësisht atyre që i ndajnë, qasja e tyre ndaj Rusisë sjell të dhëna interesante. Gjuha e forcës e përdorur nga Amerika të paktën deri vitin e fundit kur pati një ndryshim kursi dhe gjuha e diplomacisë së ngadaltë e përdorur nga Evropa në këtë rast vijnë nga linja të ndryshme interesi dhe lidhjeje karshi fuqisë aziatike. Secila palë ka krijuar marrëdhënien e saj me të në bazë të interesave reciproke, por kur vjen puna për qëndrime që kanë të bëjnë me prishjen e rregullit botëror, dalin në kohezion kundër shtrirjes së krahëve “demonit” rus në rajonin lindor, ku BE dhe SHBA po tentojnë të shtrijnë tashmë ndikimin e tyre politik. Një çështje tjetër që përbën interes në këtë marrëdhënie është ndikimi i përhershëm amerikan dhe i përligjur nga vetë evropianët në çështjen evropiane. (Me çështje evropiane kuptohet funksioni i Bashkimit Evropian, kryesisht problemet e ndikimit dhe zgjerimit në Evropën Lindore e Ballkanin Perëndimor). Por para se të shihet sjellja politike e Evropës dhe e Amerikës, ku me Evropë kryesisht do të etiketohet “Evropa e sotme”, pra Bashkimi Evropian si një “supershtet” me problemet dhe mangësitë e tij për shkak të nacionalitetit të theksuar që ekziston akoma tek shtetet anëtare, sidomos në sjelljen e tyre në arenën ndërkombëtare, dhe me Amerikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të analizohet mënyra e funksionimit të dy palëve në politikën e jashtme e sigurisë. Struktura e ngatërruar e vendimmarrjes dhe përfaqësimet në BE dhe nga ana tjetër njëzëshmëria e Uashingtonit. Por megjithatë nuk shfaqet gjithsesi në strukturë e organizim ndryshimi esencial mes tyre se sa në mënyrën se si këto dy fuqi e shohin botën, në mënyrën se si janë ndërtuar këto dy kultura me tipare perëndimore të përbashkëta dhe me dallime të forta gjithashtu. Robert Kagan, një ish-zyrtar republikan, tani analist i gazetave më me zë në kontinentin e amerikan dhe autor i librave që trajtojnë këto ndryshime e vë theksin e analizës tek perceptimi që kanë për botën popujt nga dy anët e Atlantikut. “Evropianët e shohin botën nga perspektiva e të dobëtit, duke mos i dhënë prioritet forcës ushtarake. E ndërsa amerikanët ndjejnë se kanë detyrimin për të mbrojtur botën dhe kësisoj luajnë rolin e policit ndërkombëtar. Të dyja palët janë bashkuar në objektiva të përbashkëta në fushën e globalizmit, si lufta kundër terrorizmit dhe themelimi i demokracisë, por ato marrin rrugë të ndryshme në mënyrën se si e shohin botën dhe prioritetet e tyre në të ardhmen”
Riprojektimi i rendit të ri botëror padyshim nisi që prej rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Lufta e ftohtë nuk ekzistonte më. Ish Bashkimi Sovjetik nuk ishte më dhe ajo që mbeti prej tij, Rusia e sotme, nuk trashëgoi dot statusin e një superfuqie. Bota ishte e papërgatitur për të përballur me këtë situatë të re, ku krejt papritur Amerika u gjend e vetmja superfuqi në një botë pa rivalë. Në të njëjtën kohë Evropa do t’i hapte rrugë krijimit të Evropës së Bashkuar, një nga projektet më ambicioze e më të veçanta që janë ndjekur ndonjëherë. Por pavarësisht dëshirës së shumë evropianëve e ndoshta të vetë Amerikës që Evropa e re të ishte një superfuqi e re botërore, duke zënë vendin e lënë bosh nga BS, ajo nuk e përmbushi këtë aspiratë, duke treguar se nuk ishte ende gati për luajtur një rol të tillë dhe duke lënë kësisoj një polic të vetëm ndërkombëtar në rendin e ri botëror, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetet evropiane preferuan të ndiqnin rrugën e qetë të bashkimit të tyre, ose më saktë të bashkëpunimit të tyre, kryesisht në fushën ekonomike dhe treguan se nuk ishin më të interesuara të luanin një rol, të cilin para 50 vitesh e kishin dorëzuar tek SHBA. Gjermania e Bashkuar, Franca, Britania nuk shpenzuan asnjë kacidhe më shumë se më parë për buxhetin ushtarak e për forcimin ushtarak të tyre, duke e fokusuar vëmendjen tek programet sociale dhe tregtare. Shumë analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare e lidhin këtë mosdëshirë të shteteve të vjetra evropiane me plagët akoma të hapura të Luftës së Dytë Botërore dhe me qetësinë që u sillte “mbrojtja” nga SHBA. Evropa nuk e mori mundimin të hynte në një garë armatimi, duke e ditur se s’do të jetë asnjëherë në nivelin e SHBA-së, kështu që nuk shfaqi interes për të qenë një superfuqi ushtarake. Por sa herë do të flitej për përdorimin e forcës në arenën ndërkombëtare, ajo do të kishte rezerva të forta, duke çuar herë-herë deri në pikëpyetje aleancën me SHBA-në. Tek përdorimi i forcës e tek mënyrat e tjera të qasjes kryesisht në politikën e jashtme nisin dhe divergjencat mes tyre. Ndërsa Evropa ecte nën qëllimin e bashkimit, nisur që në vitin 1951, SHBA-të shqetësoheshin për rendin e ri botëror, ku dukej se s’kishin rivalë. Ata ishin futur në një luftë të egër me terrorizmin, me shtetet që nuk zbatonin rregullat ndërkombëtare, ata ishin të zënë në zgjidhjen e konflikteve ushtarake dhe në negocimin e marrëveshjeve mes shteteve në konflikt. Pra në dhjetëvjeçarët që pasuan pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, ndërsa Evropa merrej me vetveten, Amerika shqetësohej për botën. Marrëdhëniet mes tyre vazhdojnë të jenë të mira, ato ndajnë bashkë dhe i cilësojnë si prioritet vlera të tilla si demokracia dhe të drejtat e njeriut. Ndërkohë bashkëpunimi vazhdon në të gjitha fushat me samite që organizohen të paktën një herë në vit, ku rendin të përafrojnë axhendat e punëve që kanë të bëjnë me ekonomisë, politikën e jashtme dhe sigurisë.