Matura, mbetësit në lëndët e detyrueshme do të hyjnë në provimet me zgjedhje
Të ngelësh në provimin e parë të Maturës nuk do të thotë që kanë nisur pushimet për maturantët e këtij viti. Ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, paraqiti dje ndryshimet e Maturës për këtë vit, ku më kryesorja është se edhe mbetësit në lëndët e detyrueshme do të hyjnë në provimet me zgjedhje.
Jo më ngelës
Për herë të parë të qenit “ngelës” nuk përjashton maturantët për të dhënë deri në fund të gjitha provimet që kanë përzgjedhur. Ministri Tafaj deklaroi dje gjatë Konferencës Kombëtare të Maturës Shtetërore, të mbajtur në shkollën “Jordan Misja” në Tiranë, se të gjithë maturantët do të vijojnë provimet deri në fund. Kjo do të thotë se edhe në rast se njëri prej tyre do të rezultojë ngelës gjatë provimeve të detyrueshme, Matematikë apo Letërsi, ai do të ketë të drejtë që të japë provimet që ka parapërzgjedhur në formularin A1.
Ministri Tafaj deklaroi se kjo është një risi që do të ndihmojë maturantët dhe se në vetvete Matura Shtetërore ka qenë katalizator në rritjen cilësore të gjimnazeve. “Matura Shtetërore ka ndikuar pozitivisht në rritjen e nivelit të shkollës së mesme dhe do të vazhdojë të ndikojë duke e çuar atë drejt standardeve evropiane”, - tha Tafaj.
Korrigjim i dyfishtë
Ndryshimi i dytë thelbësor është se të gjitha provimet tashmë nuk do të korrigjohen vetëm një herë, por dy herë. Ndërkaq, nuk do të ekzistojë sistemi i vjetër i rikorrigjimit, që sipas Ministrisë nuk ka dhënë rezultatet e pritshme.
“Ministria e Arsimit dhe e Shkencës garanton administrimin dhe vlerësimin korrekt të MSH-së. Këtë vit do të zbatohet korrigjimi i dyfishtë dhe korrigjuesit do të jenë mësuesit më të mirë që do të trajnohen dhe vlerësohen edhe me kredite”, - tha Ministria.
Gjatë viteve të mëparshme të Maturës, thuajse dy deri në tre përlind e maturantëve kërkonin rikorrigjim të testit e në shumë raste rikorrigjimi nxirrte rezultate të reja.
Jo më katër formularë
“Këtë vit aplikimi i formularit A2 do të jetë edhe përmbyllës për regjistrimin në Institucionet e Arsimit të Lartë. Për të shmangur tejzgjatjen e procesit të MSH-së nuk do të këtë më formular A3 dhe A4”, - theksoi Tafaj.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës sqaroi se formulari A2 do të plotësohet nga maturantët pasi çdo nxënës të ketë në dorë rezultatet e katër provimeve të Maturës.
Këtë vit procesi i provimeve të MSH-së, ato të detyrueshme dhe me zgjedhje, do të përfundojë brenda datës 30 qershor 2010.
Duke e cilësuar përgatitjen për provimet e MSH-së detyrë parësore të shkollës, ministri Tafaj garantoi se provimet e MSH-së do të jenë të mbështetura vetëm në programin e shkollës së mesme.
“Për të rritur akoma më shumë cilësinë e administrimit të provimeve të MSH-së, provimet me zgjedhje do të organizohen në qendra të përqendruara në çdo qark të vendit”, - tha Tafaj.
Kjo ishte konferenca e parë kombëtare e zhvilluar me objekt Maturën Shtetërore që prej themelimit të saj pesë vite më parë. Risitë e kësaj mature duket se janë më të pakta se në vitet e kaluara, porse ato po krijojnë një strukturim të qartë të maturës, që është ende në vitet e para të zbatimit në terren.