SHBA, Bajden kritikon Romnin për politikën e jashtme

Zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, ka kritikuar mbrëmë në Nju Jork, kandidatin republikan për nominim për zgjedhjet presidenciale, Mit Romni, për “keqkuptim të thellë” të përgjegjësive presidenciale, duke thënë se platformat e tij të politikës së jashtme për veprim të njëanshëm, i kthejnë Shtetet e Bashkuara prapa “në politika të rrezikshme dhe të diskredituara, që do të na bëjnë më pak të sigurt”.
Zoti Bajden e ka portretizuar Romnin si të dobët në çështjet e politikës së jashtme. “Nëse ju kërkoni për një moto për ta bërë një rezume se si presidenti Obama e ka menaxhuar atë që e trashëguam, është shumë thjeshtë: Osama bin Laden është i vdekur, ndërsa Gjeneral Motors është gjallë”, tha Xho Bajden.
Fushata e Mit Romnit është përgjigjur duke thënë se është Bajden ai që e ka shtyrë një politikë të jashtme “imagjinative”, e cila heq dorë nga roli i liderit të Shteteve të Bashkuara në botë.