Vazhdon zbarkimi i trupave shtesë, 70 ushtarë mbërrijnë në Kosovë

Edhe 70 paqeruajtës gjermanë kanë mbërritur sot në Kosovë.Përmes një njoftimi për shtyp KFOR ka bërë me dije se "sot ka ateruar në Kosovë edhe një zbarkim i 70 trupave gjermane të Batalionit të dytë të Forcës Operacionale Rezervë".
"Kjo është pjesa e dytë e zbarkimit në zhvillim të 550 ushtarëve gjermanë dhe 150 ushtarëve austriakë, i cili është i paraparë të zgjasë gjerë të hënën e ardhshme. Që nga dita e djeshme, këto trupa janë duke u zbarkuar në Kosovë, si pasojë e një kërkese të Komandantit të KFOR-it, gjeneral major Erhard Drews, si rrjedhojë e vlerësimit të tij për një rritje të tensionimit në Kosovë" thuhet në komunikatë.
Më tej shtohet se "Është vendimi i tij se kur, ku dhe si do të shfrytëzohet kjo forcë rezervë".
Zëdhënësi i NATO-s, Mark Stumler, ka thënë të mërkurën se “tensionet në rritje” kanë detyruar aleancën të forcojë misionin e saj në Kosovë.
Më 6 maj, qytetarët e Serbisë do të votojnë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare, si dhe në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
Serbia ka thënë se nuk do të mbajë zgjedhjet lokale në Kosovë, por disa përfaqësues të serbëve të veriut këmbëngulin se do të votojnë më 6 maj.