SHBA, Berisha takim me Joe Biden

Administrata e re amerikane, do të mbështesë plotësisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për ndërtimin dhe forcimin e një shoqërie demokratike dhe në rrugën e reformave integruese. Këtë siguri ka marrë kryeministri Berisha gjatë takimit me zëvendës presidentin amerikan Joe Biden gjatë qëndrimit të tij në SHBA në kuadër të aktivitetit mengjesi i lutjeve. Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, u shpreh se ndihej shumë i nderuar të ishte mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe pranoi me kënaqësi ftesën e bërë nga kryeministri Berisha për të vizituar Shqipërinë. Në fillim të takimit, Berisha i shprehu Joe Biden mirënjohjen e thellë, kënaqësinë e veçantë dhe nderin e madh për mundësinë që iu dha për të takuar zëvendëspresidentin amerikan, një mik të vyer të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nga ana e tij, zëvendëspresidenti amerikan Biden u shpreh me ndjenja të përzemërta për këtë takim dhe tha se ndihej i nderuar që ishte mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Gjatë qëndrimit në Washington, kryeministri Berisha, i shoqëruar nga kryetari i Partisë Republikane, deputeti Fatmir Mediu, takoi Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi. Kryeministri Berisha i shprehu zonjës Pelosi mirënjohjen e madhe për ndihmën dhe mbështetjen që Kongresi Amerikan i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve, në rrugën e integrimit të saj në NATO dhe në suksesin e reformave të ndërmarra në vend. Nga ana e saj, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi, u shpreh e kënaqur që takohej me kryeministrin Berisha, ndërsa garantoi thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, në vazhdim. Pelosi, pas ftesës së bërë nga kryeministri Berisha, shprehu kënaqësinë për të vizituar Shqipërinë, vend për të cilin nuk i ishte dhënë mundësia më parë për ta vizituar. Në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Washington DC, u zhvillua ceremonia e Mëngjesit të Lutjeve, një takim ndërkombëtarë, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta nga 182 vende të botës si, senatorë, kongresmenë amerikanë, anëtarë të qeverisë amerikane, zyrtarë të lartë të administratës, liderë, politikanë të lartë dhe personalitete të ndryshme të botës, nga fusha e artit, kulturës, shkencës etj. Në ceremoni morën pjesë Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, i shoqëruar nga zonja e parë Michelle Obama dhe Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden. Kryeministrit Berisha dhe bashkëshortes së tij, u ishte rezervuar një vend nderi në tryezën ku ndodhej Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton dhe Senatori Bill Nelson.Një ditë më parë, para kësaj audience, kryeministri Berisha mbajti një fjalim, i cili u vlerësua nga të pranishmit si frymëzues për vlerat e kombeve, paqen, mirëkuptimin dhe besimin njerëzor. Mëngjesi i Lutjeve është një takim vjetor që mbahet në Washington të enjten e parë të muajit shkurt të çdo viti dhe është shndërruar tashmë në traditë të promovimit, vlerave njerëzore, paqes, dashurisë dhe miqësisë në botë.