E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Falënderojmë Kryeministrin në largim Sali Berisha, tani certifikoni zgjedhjet

SHBA- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur vendimin e kryeministri Berisha i cili pranoi sot verdiktin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Ambasada Amerikanë në Tiranë falënderon kryeministrin në largim për mbështetjen e tij konseguente për marrëdhënie të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. 

“Falënderojmë Kryeministrin në largim Sali Berisha dhe vlerësojmë mbështetjen e tij konseguente për marrëdhënie të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Tiranë, menjëherë pas deklaratës së fortë që bëri kryeministri Berisha i cili nuk harroi të falenderoi SHBA.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon shqiptarët, të cilët morën pjesë masivisht në zgjedhjet kombëtare të 23 qershorit 2013, teksa u bën thirrje institucioneve që të certifikojnë sa më parë rezultatin e zgjedhjeve.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon qytetarët e Shqipërisë, të cilët morën pjesë masivisht në zgjedhjet kombëtare të 23 qershorit 2013 për të riafirmuar përkushtimin e tyre ndaj të ardhmes demokratike të Shqipërisë. Me përfundimin së afërmi të numërimit, nxisim institucionet zgjedhore të certifikojnë me shpejtësi zgjedhjet dhe të konfirmojnë vullnetin e popullit shqiptar. Pas formimit të një qeverie të re, nxisim udhëheqësit dhe zyrtarët shqiptarët të riangazhohen ndaj procesit të integrimit europian dhe reformave të tjera që nevojiten. Ndonëse pjesa më e madhe e votimit në ditën e zgjedhjeve dhe numërimi që pasoi u zhvilluan në mënyrë të rregullt, pati disa akte të pafalshme dhune që njollosën frymën e zgjedhjeve. Qytetarët shqiptarë nuk kanë pse ta përjetojnë diçka të tillë; ata meritojnë të hedhin votën e tyre dhe që ajo të numërohet në një mjedis të sigurt, të lirë nga kërcënimet dhe shtrëngimet”, thekson Ambasada Amerikane në Tiranë.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›