E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Gratë kosovare shiten për 7000$, shoku Tito hesht”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Pejë, 12 maj 1974 – Pranvera është një stinë shumë e këndshme në këtë skaj të largët të Ballkanit. Fushat përgjatë lumit Bistrica kanë nisur të gjelbërojnë me grurin e pranverës e mbirë në pjesët e tokës ende të mbuluara nga dëbora e dimrit. Në jug prej këtej ndodhen malet e pakalueshme që duken të largët dhe shërbejnë si kufiri natyral mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Një rrugë e re e asfaltuar, e cila pret përmes terrenit malor përgjatë kufirit, krijon një botë të vetën. Ajo është një shtrirje e Jugosllavisë moderne e mbivendosur në këtë rajon të prapambetur dhe në kontrast të vrazhdë me rrethinat. Ndërsa hyn në fshatra dhe shikon shtëpitë e ndërtuara prej tullash balte, përshtypja e zakonshme që të krijohet është ajo e thjeshtësisë dhe ashpërsisë. Burrat që mbajnë veshur kësula të bardha janë miqësorë dhe përshëndesin me dorë çdo makinë që kalon rrugën. Ndërsa gratë mbajnë shami koke dhe ato pantallonat karakteristike të gjera turke (çitjane). Kosova, ashtu siç quhet ky rajon, është një zonë e zbehtë dhe e kthjellët, e cila duket e egër dhe e vjetër në të njëjtën kohë pothuajse ndryshe nga çdo rajon tjetër në Veri apo Perëndim. Ajo banohet nga më shumë se 1 milion shqiptarë. Provinca, që ka pothuajse madhësinë e shtetit të Merilendit, mbeti e shkatërruar nga turqit në një betejë të ashpër (1398) në rrethinat e këtij qyteti. Sot Kosova është shtëpia e një milion shqiptarëve etnikë, të cilët përbëjnë mbi 74 për qind të popullsisë së saj. Përpara arritjes së vetëqeverisjes në vitet 1960, shqiptarët etnikë në Jugosllavi diskriminoheshin. Që prej atëherë, shqiptarët e Kosovës kanë zëvendësuar serbët në pozicionet kyçe politike dhe vendet e shërbimit civil. Kosova ishte vendi i fuqisë mesjetare dhe lavdisë serbe, por dhe i shkatërrimit të saj gjithashtu. Kosovarët shqiptarë kanë dhe numrin më të madh të lindjeve në Evropë. Mesatarja e tyre vjetore është 29 lindje për 1.000 vetë. Por një eksod i serbëve nga Kosova po kontribuon gjithashtu dhe në ndryshimin e tablosë demografike. Tashmë në Kosovë llogariten 1 milion shqiptarë, pothuajse sa gjysma e popullsisë së vetë Shqipërisë (diku te 2 milionë). Të gjithë së bashku numri i shqiptarëve në Jugosllavi shkon në 1.3 milion shqiptarë. Ata janë pakica më e madhe në Jugosllavi, të cilët vetëqeverisen dhe që në vitet e fundit u janë miratuar garanci kushtetuese për të zhvilluar jetën e tyre kulturore dhe kombëtare. Shqiptarët, të cilët janë të fesë myslimane, janë shumë herë më pak teatralë se fqinjët e tyre dhe duket se kanë më shumë forcë karakteri. Vrasjet për marrjen e gjakut janë pothuajse të zakonshme këtu dhe gjakmarrja konsiderohet si një premtim pothuajse i shenjtë. Gratë e këtij vendi janë ende në fazën e haremit, ndërsa një të riu i duhet ta blejë gruan e tij të ardhshme nga familja e saj. Sot çmimi i saj shkon deri në 7 mijë dollarë, ndërsa gjysma e kësaj shume, - sipas shtypit të Beogradit, - duhet të paguhet në ar. Përveç shumë manastireve ortodokse të ndërtuara gjatë shekullit XIII dhe XIV në male, këtu nuk ka asgjë që lidh vitet e Epokës Mesjetare me Jugosllavinë moderne, përveç mbetjeve të ish-Perandorisë Osmane, e cila e ka sunduar këtë zonë për pesë shekuj me radhë deri në fillim të këtij shekulli. Pavarësisht 30 viteve të sundimit komunist, minoriteti shqiptar ka këmbëngulur me të gjitha mënyrat që tiu përmbahet traditave dhe besimit islamik. Prandaj, pamjet e jashtëzakonshme përgjatë rrugës nga Ivangradi në Pejë të japin shansin të shohësh dhe një ari të madh të murrmë që mbahet i lidhur me zinxhir në një fshat nga një burrë i vjetër dhe një tjetër burrë, i cili ecën mbi kalë përmes një peizazhi të shkretë dhe gruaja e tij e ndjek pas në këmbë rreth 5 hapa larg kalit. Zakoni i blerjes së grave ka frymëzuar një debat të gjerë dhe një fshat afër Gostivarit (Gergana), dhe ka marrë dhe famë për këtë traditë. Në këtë fshat diskutohet për një grua që është blerë nga një burrë afër fshatit të Forinas. Pas martesës, ajo braktisi burrin dhe shkoi në krahët e një djali të ri që e dashuronte. Një tjetër objekt bisede është dhe rasti i Kadri Biljaliut, 23-vjeçari që u fejua së fundmi me një vajzë 15-vjeçare pasi i pagoi 2 mijë dollarë të atit të vajzës. Fshatarët tani pyesin veten nëse Kadriu do të jetë në gjendje të kursejë dhe 2 mijë dollarë të tjerë dhe rreth 2.700$ në ar, të cilat ai duhet tia dorëzojë vjehrrit të tij të ardhshëm brenda këtij viti. Nëse ai nuk do të arrijë të paguajë brenda këtyre kushteve, sipas zakoneve tradicionale të fshatit, ai jo vetëm mund të humbasë përfundimisht vajzën, por rrezikon të mos marrë as këstin e parë të pagesës. “Lista e djemve që punojnë fort për të arritur të blejnë vajzat që do të jenë nuset e ardhshme të tyre është shumë e gjatë”, - thotë Nevzat Biljaliu, 29 vjeç. “ Për shembull, ne kemi një rast të tillë: Xhemal Ejupi, i biri i Ismailit, u martua me një vajzë, e cila më pas e braktisi. Tani burri i varfër është duke punuar sërish nga fillimi për të kursyer para dhe blerë një grua tjetër. Për këtë i kam shkruar dhe një letër shokut Tito”. Letra ndaj presidentit jugosllav Josif Tito, së cilës iu bë dhe një farë publiciteti nga shtypi, iu përcoll autoriteteve lokale, të cilat arritën në përfundimin se ky zakon “është një problem shumë serioz social që i ka rrënjët e thella”, por se ai “nuk mund të zgjidhej me një nismë ligjore”. “Edhe pse kjo shtije është e ndaluar me ligj”, - zyrtarë nga qyteti i Gostivarit thanë gjatë një interviste se “kjo praktikë ekziston në shoqërinë tonë dhe ne, për të thënë të vërtetën, nuk e kemi konsideruar asnjëherë si një problem të veçantë”. “Megjithatë, pas letrës së Biljalit, - shtoi ai, - ne do të bëjmë gjithçka është e mundur për ti dhënë fund kësaj praktike”.

Ky lajm është publikuar: 28/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›