E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmet 8.8 ballë në Kili, vendi i shpëton mrekullisht katastrofës

Autori i Lajmit: Redaksia
Santiago - Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 goditi Kilin dje në mëngjes, duke lënë të paktën 82 të vdekur, shembur ndërtesa dhe nxitur paralajmërimet për cunami në pellgun e Paqësorit. Presidentja e Kilit, Michelle Bachelet, ka shpallur “gjendjen e katastrofës” dhe thotë se numri i të vdekurve pritet të jetë më i lartë. Ajo tha se ekipet e emergjencës janë shpërndarë në gjithë rajonin. "Ju lutemi të mos dilni nga shtëpia. Lëvizni vetëm me automjete, nëse është e domosdoshme. Dhe jini të kujdesshëm. Nëse nuk veproni kështu, atëherë në fund nuk do të kemi vetëm viktima të tërmetit, por edhe viktima të shkaktuara nga paniku". Për Kilin, Perunë, Australinë dhe Havain u lëshuan paralajmërime për cunami. Edhe shërbimi meteorologjik japonez paralajmëroi për mundësinë e një cunami në Paqësor. Një nga shkaqet që mendohet që Santiago i shpëtoi katastrofës mendohet të jenë ndërtimet e reja moderne të kryeqytetit. Pjesa më e madhe e atyre që janë shkatërruar ishin ndërtime të vjetra, përfshirë dhe kishën Nuestra Senora, e cila u shemb. “Ishte e tmerrshme, njerëzit ulërinin dhe vraponin, të tjerë dukeshin të paralizuar. Unë isha njëri prejt tyre”, - thotë Hulio Alvarez për Radio Cooperativa në Santiago. Gjendja e katastrofës u deklarua për 3 zonat më të goditura të vendit ndërkohë që për momentin Kili nuk i ka kërkuar asnjë vendi ndihmë. Një tërmet i fuqisë 7 ballë para brigjeve të Japonisë kishte shkaktuar më parë valë ende të ulëta në bregdetin e ishullit Okinava. Në ishujt e Robinson Kruzosë, që i përkasin Kilit, 660 kilometra larg kontinentit, një dallgë shumë e madhe mori me vete pjesë toke. Marina filloi me evakuimin e pjesës lindore të ishullit, që ndodhet 300 km larg kontinentit. Pati edhe disa goditje të tjera pas tërmetit, një prej të cilave me magnitudë 6.9. Qendra amerikane e vëzhgimit thotë se tërmeti ra në orën 3:34 të mëngjesit rreth 100 kilometra nga Concepcion, një qytet i madh në qendër të Kilit. Në pjesën historike të Santiagos u lëkundën ndërtesat, disa u rrëzuan. Në gjithë vendin është ndërprerë rryma elektrike dhe lidhjet telefonike. Qendra e Paralajmërimit të Cunamit në Paqësor ka parashikuar kohën e arritjes së cunamit që parashikohet të përfshijë zonën nga Havai deri në Rusi. Pak informacion nga zona ku goditi tërmeti, por lëkundje u ndjenë edhe në Santiago, 320 kilometra në verilindje të epiqendrës së tërmetit. Edhe pjesë të tjera të Amerikës së Jugut ndjenë lëkundje. Aeroporti ndërkombëtar i vendit është mbyllur. Ai i ka bërë thirrje popullsisë kiliane të heqë dorë nga vajtja masive në plazhet e vendit, çka është karakteristike në fundjavat. Në qytetin Al Garrobo, 100 km në verilindje të Santiagos, deti është tërhequr dhe shumë turistë janë duke ikur në panik nga frika e rikthimit të fuqishëm. Disa rajone të Kilit janë tërësisht të izoluara. Bashkimi Evropian deklaroi se është i gatshëm të ofrojë ndihmë të menjëhershme për viktimat e tërmetit në Kili. “Bashkimi Evropian është gati të ofrojë ndihmë për popullin e Kilit”, - tha shefja e diplomacisë evropiane, Kethrin Ashton. Eurokomisionerja për çështjet humanitare, Kristalina Geogorieva, tha se njësia e mbikëqyrjes së krizës po funksionon, derisa në gjendje gatishmërie janë dhe ekspertët e ndihmave humanitare. Ky është tërmeti i dytë më i madh që godet Kilin pas atij të shkaktuar në vitin 1960, ku u shkaktuan mbi 1100 të vdekur dhe mijëra të tjerë të lënduar.

Ky lajm është publikuar: 28/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›