Weichert: Bojkoti i PS dha fryte. Kthimi në parlament nuk është njëkohësisht zgjidhja e problemit Nga DW Përfaqësuesi i Fondacionit Friedrich Ebert mbi zhvillimet politike në Shqipëri vëren: Të paktën pasojat e vazhdimit të krizës politike
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Weichert: Bojkoti i PS dha fryte. Kthimi në parlament nuk është njëkohësisht zgjidhja e problemit Nga DWPërfaqësuesi i Fondacionit Friedrich Ebert mbi zhvillimet politike në Shqipëri vëren: Të paktën pasojat e vazhdimit të krizës politike ndaj pretendimit për integrim në BE tani për tani janë kapërcyer
Z.Weichert, partia më e madhe në opozitë në Shqipëri, PS, pas gjashtë muajsh bojkoti vendosi të futet në Kuvend. A mendoni se ky hap i dedikohet ndërmjetësimit nga jashtë?
Unë mendoj se ka pasur shumë faktorë që kanë kontribuar për këtë. Nuk duhet të harrojmë edhe që vetë në Shqipëri ka pasur përpjekje, siç ishte dhe nisma e presidentit Topi, që padyshim ka luajtur një rol të rëndësishëm. Por, natyrisht që edhe i ashtuquajturi faktori ndërkombëtar ka luajtur një rol të madh në këtë proces duke kontribuar për këtë rezultat.
A mendoni se kjo është vetëm një lëvizje shahu, një kalkulim i socialistëve, për të ruajtur mandatet, pasi së shpejti afati i paraqitjes në parlament do të skadonte? Dhe një pyetje në këtë kontekst: a mos vallë është tashmë e paraprogramuar kriza pasuese, pasi futja në parlament ka si kusht mbajtjen në fuqi të kërkesës për rinumërimin e votave?
Pra kemi të bëjmë me dy pyetje: nga njëra anë sa ka të bëjë me ndonjë kalkulim të mundshëm në sfondin e skadimit të mandateve, mendoj se edhe kjo datë sigurisht që ka luajtur një rol, pra për të mos rrezikuar mandatet. Çështja nëse këto mandate do të humbisnin ka qenë disi e diskutueshme. Por, më shumë synohej që të shmangej ndonjë shkallëzim i mundshëm i këtij konflikti, ndaj mendoj që sigurisht ka pasur një influencë të rëndësishme edhe momenti kur u mor ky vendim.
Sa i përket çështjes tjetër: kthimi i opozitës në parlament nuk është njëkohësisht zgjidhja e problemit. Ne me siguri do të na duhet të llogarisim se në varësi të detyra dhe kompetencave që do të ketë komisioni i kërkuar hetimor, do të ketë përballje të forta. Por, natyrisht që jemi të mendimit se është shumë mirë që këto përballje do të zhvillohen në parlament.
Bojkoti si një formë e protestës, duke pasur parasysh që ishte një bojkot gjashtëmujor i deputetëve që morën votat për të sjellë zërin e zgjedhësve në Kuvend, a mendoni se është mjeti i duhur dhe a solli kjo diçka?
Është e vështirë të gjykosh, për ne gjermanët për shembull, nuk është një mjet i pranueshëm të bojkotosh parlamentin e ndoshta edhe në shumë vende të tjera veprohet ngjashëm. Ne duhet të shohim situatën këtu në Shqipëri, si dhe në disa vende të rajonit, ku institucioni i parlamentit ende nuk është i konsoliduar fort, e në radhë të parë funksioni i parlamentit nuk është i garantuar ende në atë mënyrë si në shumë vende të tjera të Evropës. Ndaj nuk do të duhej ta gjykonim nga optika jonë gjermane, nëse kjo formë është një mënyrë e pranueshme e protestës apo jo. Nëse këtë bojkot do ta shohim nga fundi, pra duke nisur nga momenti i tanishëm, atëherë duhet të pranojmë që pa këtë bojkot nuk do të ishte arritur deri aty që parregullsitë lidhur me zgjedhjet vitin e kaluar të shqyrtoheshin në këtë formë siç pritet tani, aq më tepër më vëmendjen ndërkombëtare që pritet tani.
Z. Wiechert, çfarë mendoni se mund të ndodhë pas procesit të hetimit, për më tepër që fjala është edhe për angazhimin e Komisionit të Venecias, në varësi të konkluzioneve që do të dalin, çfarë mund të ndodhë pas kësaj?
Unë mendoj se opozita ka bërë të qartë që ajo nuk synon ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve, si rrjedhojë nuk do të ketë ndryshim të ndarjes së votave në parlament. Qëllimi i opozitës është sqarimi i akuzave, apo parregullsive që ato kanë konstatuta si dhe marrja e masave që të parandalojnë diçka të ngjashme të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme. Ky është pra qëllimi.
Kriza në politikën e brendshme të Shqipërisë gjatë muajve të fundit u cilësuar edhe si një rrezik për proceset e integrimit të vendit në BE. A mendoni se tani ky rrezik është shmangur?
BE e ka bërë të qartë që përgjigja ndaj kërkesës për hapjen e negociatave varet nga ajo, që mosmarrëveshjet në politikën e brendshme, pra kriza në politikën e brendshme, të kapërcehet. Me kapërcimin e krizës nënkuptohej kthimi i opozitës në parlament dhe që akuzat të sqarohen.
Ndaj mendoj që mund të thuash se të paktën pasojat e vazhdimit të krizës politike nga situata në parlament ndaj pretendimit për integrim në BE, tani për tani janë kapërcyer.
Natyrisht që mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më tej dhe se si do të vazhdojë ky proces.