Ti doje të shkruaje një fugë*Nga Idlir Azizi, saktivista.comMa sill më mirë atë bombën, më tha, lëri këta, ata shumë të paktit këtu, që nuk e çajnë shumë kokën për ndonjë lloj shteti, ca më pak për një shtet si shteti shqiptar, ata që s’e vrasin
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ti doje të shkruaje një fugë*Nga Idlir Azizi, saktivista.comMa sill më mirë atë bombën, më tha, lëri këta, ata shumë të paktit këtu, që nuk e çajnë shumë kokën për ndonjë lloj shteti, ca më pak për një shtet si shteti shqiptar, ata që s’e vrasin shumë as për forcën e tij, domethënë për forcën e tij, të shtetit, gjë jetike, pra, në shqipëri. Edhe unë e di, tha, që ky terror i tejdukshëm ushtrohet tani, më tha, te ne, këtu, nga brenda vetë shqipërisë, dhe jo më mbi krye të shoqërisë, – që s’është as shoqëri sa duhet – këtu, por që me kthimin e sistemit, ose, siç e intepretojmë ne këtu shpejt e shpejt, me vendosjen e demokracisë, është bërë, më tha, edhe më vulgare, shoqëria, më shumë nga sa ka qenë. Në një shqipëri, tha, të themi për momentin, mëse të shëmtuar, sidomos aq e shëmturuar kësisoj nga mungesa e kurajës civile, një shoqëri, tha, që di vetëm, dhe ka më për mbarë, më tha, të shkatërrojë vetveten. Shoqëri, gjoja e tillë, që di të vrasë, tha, e të vetvrasë, si mund të thuhej, se s’e kishte dëgjuar ndonjëherë këtë, por vetëm me dëm ndaj fqinjit, apo pjesëtarit të familjes, Por prapë shoqëri, i thënçin, që nuk ka, tha, asnjë pikë kurajo. Kjo, shoqëria këtu, në përballje domethënë me shtetin. Apo në përballje për shembull, tha, me ambasadat, që i trajtojnë njerëzit si bagëti, kjo pastora jonë, dhe e tyrja bashkë, e perëndimorëve, nën atë terrorin e vizës për jashtë shtetit, sikundër thuhej atëherë, tha tani. Më këtë implozion, e di, e di, të kurajës së shtirë brenda trupit të shqipërisë, më tha, prandaj unë kam zgjedhur të shfaqem kështu si tregtar, si i gjithë populli jonë tregtar, dhe nuk e kam ndërmend të ofroj asnjë kundërshti të mirëfillë. E ndaj kujtdo qoftë, më tha, se e di që kjo është skandaloze hollë hollë, për një jetë të tillë gjoja intelektuale, megjithëse unë i tillë jam e do mbetem, sidomos në shqipëri. E di, që duket skandaloze të të kujtojnë si një filozof asnjanës e që merret konkretisht me gjithçka vetëm me filozofi mirëfilli jo, që s’tha kurrë një objeksion rrënjësor e të pavarur nga linja administrative, por jeta është sot, tha. Sot për sot, më tha. Tek e fundit edhe unë s’jam ndryshe nga intelektualët e brezit tim, në këtë pikë, e kam, nga humanizmi i vjetër shqiptar, prindëror e bukolik, po aq konsensual e komunist bashkë, dhe integralizmi i sotëm shqiptar ndoshta na ka bërë, na bën, tha, të tillë. Pastaj në një vend si shqipëria, intelektuali s’ka pikë vlere, as që pyet kush për të, mirëfilli, tha, ku intelektuali jeton në gjendjen e kolovitjes ende mes dy sistemeve, përjeton tani gjendjen e një utopie krejt të përhumbur, sepse dikur ishte të paktën shtresë në shoqëri, ndërsa sot vetëm ca përqindje qesharake e false për avantazhin e partive politike në fushatë, i kishte thënë dikush, Dhe kjo nën atmosferën e përgjithshme të një vendi – prapë ai tjetri thoshte – që po kopjon, tha profesori gjithçka në nivel dëshiror e legjislativ. Sepse i vendosur, intelektuali këtu në shqipëri, tha, mes dy sistemeve – kishte vazhduar ai tjetri – ai nuk ka as, mirëfilli pra, nostalgji për komunizmin, por as përkrahjen e plotë nga sistemi i ri, kështu që lere fare.
Më jep një bombë si duhet, sa të dëgjosh kot ata, tha, këta kontestuesit e tipit poetik. Se koha e tyre ka mbaruar, ose duket, na duket ne të tjerëve se ka mbaruar, me kohë, derisa unë për vete, tha, përgatis një brez të bindur e të integrueshëm kollaj. Sajë meje ata, studentët, do të hanë bukë, si i thonë, nën çdo parti, më tha, e sido të evoluojë shoqëria shqiptare. Sepse edhe studentët, e shkollave të mia, domethënë të shkollave private ku unë jam i pranishëm, nuk është se kërkojnë ndonjë gjë tjetër, veç injorancës së diplomuar, ose diplomimit gjithë injorancë të lezetshme, aq sa për t’u futur në punë. Ata kaq kërkojnë, studentët edhe prindët e tyre, kaq e di, sepse jam vetë edhe mësimdhënës, por edhe filozof e prind, të gjitha këto të koracuara nga sensi intelektual pragmatik, më tha. Të shpifur, më tha, studentët, në kuptimin e aftësisë së gjykimit, të absorbuar qysh tani nga histeria kolektive e të bërit, e të nxjerrit, si i thonë, të të bërit lek, të idesë të nxjerrim, më tha, ndonjë lek, Pa bartur asnjë shije të ndryshme nga ajo e zëdhënësve mediatikë të shtetit e të partisë, e të baltës televizive, – i kishin thënë – ku ata shohin si të gjithë, jo më fytyra apo persona, por ikona qoftë dhe tranzitore të pjesëmarrjes, apo të përkatësisë, tha, shtetërore, konsakrimin e ekzistencës gjithnjë e më joparimore të individit shqiptar dhe të ekzistencës përherë e më qesharake të shqipërisë si vend, më tha. Duke bartur inatin, mandej, tha, të pashoq që nuk janë vetë në vend të atyre fytyrave në televizor, që s’janë ende, apo ndoshta s’do jenë kurrë nën atë epidermën e tyre televizive mediatike, më tha. Sa mirë që imazhi i filozofit nuk është, tha, që filozofi e ka imazhin pa shumë konkurrencë, domethënë filozofi akademik por star mediatik në shqipëri. Kjo, tha, ma lehtëson punën, kjo bën pastaj që dhe ligjërimi im të mbetet unik, të jetë në status unik, pa shumë parapërgatitje, domethënë pa e çarë kokën për përgjegjësi civile intelektuale, përderisa unë jam filozof i shumicës dhe jo i pakicës, pra unë jam filozof i maxhorancave të çdo lloji, dhe jam, pra mundohem, tha, të jem filozof i efikasitetit, i efiçencës së madhe, në kuptimin që e thotë sot pronari i formula 1 lidhur me efikasitetin e hitlerit dikur. Pavarësisht se tani, tha, si filozof i kësaj kohës me shqyrtime të korrektesës, edhe unë, edhe mua më duhet të pozicionohem kundër tipave si hitleri, ma tha. Pa shumë punë, më tha, përderisa unë i kam duart e pista, domethënë unë i kam, tha, jam, më tha, në shumë punë e në plot vende pune njëkohësisht, me zërin tim brenda vokabulave të parapërgatitura të shtetit, të atyre shteteve që po drejtojnë shqipërinë, sipas asaj që i kërkon, që thonë se gjoja do vetë shoqëria jonë, që s’është as shoqëri për atë punë, tha. Dhe rrugën e kam të lirë, ndryshe nga këta kontestuesit çegevaristë – i them kështu sa për t’i futur në një etalon të madh që të sulmohen më kollaj, tha–, dhe ndryshe nga ata kontestatorët proletarë që rrinë si aristokratë në oborrin e mbretit, që s’kanë as rrogë fikse, pra janë, tha, askushi nga pikëpamja e sotme e shoqërisë së suksesit, e arritjes arriviste. Ata që për më tepër ndikohen nga disa filozofë intelektualë perëndimorë, ashtu si dhe unë, tha, për atë punë, por ama ndryshe nga unë, më tha, nga disa filozofë thyes kalldrëmesh, i quante, e ballafaques me forcat e policisë, Ata, këta që meditojnë në mënyrë konjitive, që hedhin ide mbi mënyrat sesi mund të dallosh mënyrat e rafinuara të ushtrimit të pushtetit sot, në demokraci, Por shyqyr që populli ynë nuk e ka tejkaluar fantazmën e komunizmit dhe nuk do ta shohë, apo nuk rreket të shohë ushtrimin e pushtetit në demokraci, që në shqipëri, e di e di, nuk është demokraci, por vetëm post-diktaturë dhe kaq, kaq i bie ta di dhe unë si filozof, tha. Por ata janë ata që pretendojnë se mund të njihet bota, se bota edhe mund të njihet, të paktën evidenca mund të jepen, por këta janë ata që e lënë atdheun, që e lënë kombin të vdesë, më tha, domethënë mund ta lënë atdheun, mundet që prej tyre kombi dhe të vdesë. Atë, pikërisht, tha, këtë kombin e vetëm ku unë mund ta nxjerr në këtë shkallë bukën time, me gjithë bukën e kalamajve, natyrisht, më tha.
*Fragment nga proza me të njëjtin titull.